Prodhuesit e lëngjeve vendore anashkalojnë produktet e freskëta, importojnë pluhur

17:05 | 14 Janar 2016
M. A.

Fermerët kosovarë po detyrohen ti mbyllin apo zvogëlojnë fermat e tyre për shkak të mosfunksionimit të duhur të veprimtarisë së tyre në vend. Sipas informacioneve që posedon portali i lajmeve Arbresh.info, pothuajse të gjithë prodhuesit e lëngjeve vendore siç janë “Fruti”, “Tango”,” Eks” “Dona”etj, si lëndë të parë përdorin një lloj koncentrati apo pluhuri të cilin e importojnë nga vendet e ndryshme duke mos i përdorur produkte e freskëta vendore.

Kështu një fermer nga Komuna e Deçanit i cili merret me kultivimin e dredhëzës që nga viti 2004, ka thënë për Arbresh.info se është detyruar të zvogëloj sipërfaqen me këtë kulturë.

“Kam poseduar një sipërfaqe me dredhëz deri në 4HA mirëpo duke e pasur parasysh konkurrencën jo legale si dhe irritimin e fermerëve nga përpunuesit të cilët asnjëherë nuk kanë qenë të gatshme që t’i marrin produktet tona jemi detyruar që t’i zvogëlojmë sipërfaqet me këtë kulturë,  gjë që ka shkaktuar dëme të mëdha”, ka thënë ai.

E për këtë ai fajëson prodhuesit e lëngjeve në Kosovë siç janë,”Fruti”, “Tango”, “Eks”, “Dona”, etj të cilët sipas tij nuk kanë asgjë vendore përveç punëtorëve dhe vendit ku paketohen të tjerat janë të gjitha import.

“Këta përpunues janë të fokusuar në eksport të këtyre produkteve por jo si fruta por në formë të koncentratit apo pluhurit e që po thirren si prodhime vendore e në realitet s’kanë të bëjnë asgjë me prodhimin vendor”, shton ai. Ai deklaron se ka hapur shumë herë këtë temë por askush nuk është marrë me të për shkak të interesave dhe përkrahjes që ata kanë nga Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Ky fermer nuk është i vetmi në Kosovë, ka shumë të tjerë të cilët nga pakënaqësia me situatën kanë mbyllur fermat e tyre.

Në mbrojte të këtyre fermerëve është edhe kryetari i  Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku i cili në një deklaratë për Arbresh.info tha se “Të ashtuquajturit prodhues duke manipuluar me informatën që kinse janë prodhues e në të vërtet janë vetëm tretës të lëndës së parë  për prodhimin e lëngjeve pra janë paketues. Shumica e konsumatorëve e dinë se ata nuk janë prodhues të lëngjeve edhe fakti se me ligjin e ri ata detyrohen të paguajnë akcizë për shkak se kanë përqindje më të ulët të bazës bimore së pemës siç e parasheh ligji e dëshmon se këto lëngje janë të proceduara dhe nuk janë 100% lëngje por janë tretje të përziera që kryesisht vijnë nga Austria”.

Ndërsa të kundërtën e kësaj  e thotë nënkryetari i Agjencionit Kosovar të Biznesit, Bashkim Osmani ku sipas tij 20 për qind e këtyre kompanive furnizohen nga produktet vendore ndërsa pjesa tjetër nga importi duke shtuar se nuk importohet në formë të pluhurit por fruta të freskët.

“Nuk ka pluhur, shtrydhen pemët, koncentrohet, i’u largohet uji pra është shumë origjinale nuk ka asnjë dallim. Është produkt i pemëve vetëm që koncentrohet pra i’u hiqen mbeturinat, do të thotë bërthama e gërdhajat dhe bëhet i koncentruar dhe ai prapë përpjesëtohet me recepturën dhe del p.sh në bazë të përqindjes”, thotë Osmani.

Mirëpo se sa është e vërtetë ajo çfarë thotë z. Osmani e tregon vetë kompania vendore për prodhimin e lëngjeve “Fruti”.

I kontaktuar nga portali, drejtori i shitjes në këtë kompani, Florent Zhuniqi ka thënë se lëndën e parë e importojnë 100% nga vendet tjera dhe se është në formë të koncentratit.

“Lëndën e parë e marrin prej Italisë dhe Gjermanisë, është 100% import sepse askush nuk ka prodhime vendore këtu në Kosovë. Lënda e parë është koncentrat”, tha Zhuniqi.

Portali Arbresh.info ka provuar të kontaktoj edhe me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës por që një gjë e tillë nuk është mirëpritur nga vetë kryetari i cili nuk i’u është përgjigjur thirrjeve tona.

Po ashtu kemi provuar të kontaktojmë edhe me kompanitë e tjera për prodhimin e lëngjeve në vend por që nuk kemi marrë përgjigje nga ta përpos kompanisë “Fruti”./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale