Komuna e Prishtinës ka nisur aksionin për lirimin e një prone komunale pranë Ministrisë së Bujqësisë, hapësirë e cila sipas zyrtarëve komunalë është shfrytëzuar pa autorizim. Parcela, e planifikuar për ndërtimin e Shkollës së Muzikës, po rrethohet nga autoritetet komunale në kuadër të zbatimit të vendimit për kthimin e saj në funksion publik.
Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë një aksion për lirimin e një prone komunale, përkatësisht parkingut pranë objektit të Ministrisë së Bujqësisë, i cili sipas autoriteteve komunale është shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme.
Aksioni po realizohet nga Drejtoria e Pronës Komunale në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspekcionit dhe Policinë e Kosovës. Sipas komunës, hapësira publike do të shfrytëzohet për ndërtimin e Shkollës së Muzikës.
Drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj, tha se procesi i lirimit të hapësirës po zhvillohet pa pengesa nga personat që e kanë shfrytëzuar deri më tani.
“Sot Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Pronës bashkë me Drejtorinë e Inspekcionit është duke zbatuar vendimin për lirimin e pronës komunale, gjegjësisht hapësirës publike, e cila ka qenë e shfrytëzuar prej personave të caktuar në formë jolegjitime, joligjore. E kjo pronë është hapësirë publike e destinuar për ndërtimin e Shkollës së Muzikës. Ky aksion është duke shkuar mirë, realisht nuk kemi kundërshtim prej shfrytëzuesve dhe pjesën tjetër e vazhdojmë”, deklaroi Mehmetaj.
Ai sqaroi se pjesa dërrmuese e parcelës është në pronësi të Komunës së Prishtinës, ndërsa një segment i saj i përket Administratës Tatimore të Kosovës. Sipas tij, komuna tashmë ka nisur procedurat për shpronësimin e asaj pjese.
“E gjithë hapësira që po rrethohet tash në atë formë, është hapësirë e pronës komunale. Është një pjesë e pronës e ATK-së me të cilën edhe ne i kemi bërë shkresat për shpronësim dhe besoj që shumë shpejt e zgjidhim edhe atë çështje dhe pastaj fillon projekti për ndërtimin e Shkollës së Muzikës”, u shpreh ai.
Mehmetaj paralajmëroi se komuna do të vazhdojë edhe me aksione të tjera për lirimin e pronave publike që, sipas tij, janë zënë ose shfrytëzohen pa bazë ligjore.
“Ky aksion do të vazhdojë në kryeqytet, domethënë do të lirohen të gjitha pronat që janë të shfrytëzuara në mënyrë joligale, jolegjitime. Unë i ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë në këtë drejtim, sepse është interes i përgjithshëm që këto prona t’u kthehen qytetarëve dhe të zbatohen vendimet të cilat shkojnë në interes të qytetarëve”, tha Mehmetaj./RTK
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...