Presidenca: Pretendimet për skemë apo plan të organizuar nga Osmani, për rrëzim të qeverisë – janë shpifje

21:23 | 7 Mars 2026
Q L

Shefja e kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka thënë se pretendimet për skemë apo plan të organizuar nga Osmani, për rrëzim të qeverisë – janë shpifje.

Përmes një reagimi zyrtar, Hollaj deklaroi se “Presidentja Osmani nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e skenarëve të tillë”.

“Shpifjet që po qarkullojnë për kinse puç, skemë apo plan të organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani për rrëzimin e Qeverisë, qoftë në bashkëpunim me Ramën, Grenellin, Vuçiqin, apo me opozitën, nuk janë vetëm të pavërteta por edhe produkt i një mendësie e cila për interesa të momentit, është e gatshme të dëmtojë edhe vetë shtetin” pohoi Hollaj.

Sipas saj, qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë qartë se çfarë qëndron pas gjithë kësaj zhurme.

Ky është reagimi i plotë i saj:

Shpifjet që po qarkullojnë për kinse puç, skemë apo plan të organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani për rrëzimin e Qeverisë, qoftë në bashkëpunim me Ramën, Grenellin, Vuçiqin, apo me opozitën, nuk janë vetëm të pavërteta por edhe produkt i një mendësie e cila për interesa të momentit, është e gatshme të dëmtojë edhe vetë shtetin.

Presidentja Osmani nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e skenarëve të tillë. Për të, politika nuk është terren i komploteve, por përgjegjësi ndaj Republikës, kushtetutës dhe qytetarëve tanë.

Në një kohë kur shpifjet tentojnë të paraqiten si narrativë politike, Presidentja nuk mbështetet në makineri propagandistike për të imponuar të vërtetën e saj. Por ajo mbështetet në diçka më të fortë: në të vërtetën vetë.

Koha gjithmonë i ndan qartë faktet nga propaganda. Qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë qartë se çfarë qëndron pas gjithë kësaj zhurme. Sepse në fund, propaganda do të zbehet, ndërsa e vërteta do të mbetet.

Shpërndaje në rrjete sociale