Policia parandalon kontrabandë mallrash në Han të Elezit, dy persona arratisen drejt Maqedonisë

16:00 | 26 Tetor 2025
E.H

Policia e Kosovës njofton se kanë realizuar një veprim operativ që ka rezultuar me parandalimin e një rasti të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare të Hanit të Elezit.

Në njoftim thuhet se dje rreth orës 19:00, njësia policore ka vërejtur një automjet të tipit kombi-furgon pa targa regjistrimi, i cili kishte hyrë nga Maqedonia e Veriut në territorin e Republikës së Kosovës, duke përdorur rrugë ilegale, transmeton Arbresh.info.

“Pavarësisht tentativës së policisë për ta ndaluar automjetin, ky i fundit nuk është ndalur dhe ka dalë nga rruga duke përfunduar në një hendek. Dy persona të dyshuar që ndodheshin në automjet e kanë braktisur atë dhe janë larguar në drejtim të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash që dyshohet se janë kontrabanduar, përfshirë:
këpucë për meshkuj dhe femra të markave të ndryshme, mjete pune kasaforta dhe veshje të ndryshme,

“Me urdhër të prokurorit kompetent, automjeti dhe mallrat e gjetura janë konfiskuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, ndërsa do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprimtarive ilegale, me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe integritetit kufitar të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera ligjzbatuese”, thuhet më tej në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale