Policia në Pejë arreston 38 persona të kërkuar

08:34 | 24 Qershor 2026
E H

Policia e Kosovës ka raportuar se stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë kanë realizuar një sërë urdhëresash të gjykatave kompetente, duke arrestuar 38 persona të kërkuar gjatë periudhës 1–22 qershor 2026.

Sipas njoftimit, personat e arrestuar dyshoheshin për vepra të ndryshme penale. Nga ta, 13 persona janë dërguar për vuajtjen e dënimit në qendrat e paraburgimit, ndërsa 25 të tjerë janë paraqitur në seanca gjyqësore dhe, pas pagesës së gjobave të shqiptuara, janë liruar.

Policia ka bërë të ditur se aktivitetet për zbatimin e urdhëresave të lëshuara nga gjykatat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka theksuar përkushtimin e saj për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe forcimin e rendit dhe ligjit në rajon./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale