Policia konfiskon armë dhe municione nga shtëpitë e bastisura për rastin e Kumanovës

17:35 | 15 Maj 2015
M. A.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës ka bastisur shtëpitë e shtetasve të Kosovës që janë arrestuar në Maqedoni në rastin e Kumanovës.

Përveç shtëpive të të arrestuarve mësohet se janë bastisur edhe shtëpitë e personave që supozohet se janë vrarë në përleshjet në Kumanovë më 9 maj.

Policia ka bastisur edhe shtëpitë e Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizajt për të cilët jo zyrtarisht  thuhet se janë të vrarë.

Në një komunikatë të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë thuhet se sot në orët e hershme të mëngjesit, është realizuar planin operativ i koduar “kontrolla”, ku në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, është ekzekutuar urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për realizimin e operacionit të gjerë në nivel të vendit, i cili ndërlidhet me dyshimet për vepra të rënda penale.

Sipas komunikatës ky operacion policor është ndërmarrë duke vlerësuar rëndësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e çfarëdo lloji të veprave kriminale dhe ka përfshirë gjashtë rajone të Kosovës si në; Prishtinë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Prizren.

Gjatë realizimit të këtij operacioni policor janë shoqëruar për intervistim njëmbëdhjetë persona, si dhe janë bastisur tridhjetë e tetë lokacione të ndryshme, kryesisht shtëpi banimi.

Ndërsa provava materiale janë konfiskuar armë dhe municion të llojeve të ndryshme, duke përfshirë pajisje dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin, si: tri armë të gjata, dy armë të shkurtra,një thikë, sasi e municionit dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale