Policia jep detaje për kamionin e përfshirë nga zjarri në autostradën Suharekë–Duhël

13:38 | 8 Prill 2026
E.G

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me incidentin e ndodhur sot në autostradën Suharekë–Duhël, ku një kamion është përfshirë nga flakët.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 12:25.

“Me datën 08.04.2026, rreth orës 12:25, Policia ka pranuar informatën se një kamion është përfshirë nga zjarri në relacionin Suharekë–Duhël në autostradë”, ka deklaruar Bytyqi.

Sipas tij, menjëherë pas pranimit të informacionit, janë njoftuar njësitë përkatëse për ndërhyrje në vendin e ngjarjes.

“Radiobaza ka njoftuar Stacionin Policor në Suharekë për të dërguar zjarrfikësit, si dhe një patrullë policore në vendin e ngjarjes. Për incidentin është informuar edhe njësiti patrullues i autostradës”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Bytyqi ka bërë të ditur se është kërkuar edhe ndihma mjekësore për personat e përfshirë në rast.

“Një qytetare ka kërkuar edhe ndihmën e Ekipit të Urgjencës, pasi ngasësi i kamionit dhe një pasagjer, megjithëse nuk kanë pësuar lëndime, janë në gjendje të shqetësuar. Stacioni Policor është njoftuar që të orientojë Ekipin e Urgjencës drejt vendngjarjes”, ka theksuar ai.

Autoritetet kompetente janë duke trajtuar rastin, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar./Arbresh.info