Policia e Kosovës prezanton planin e sigurisë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

12:36 | 17 Dhjetor 2025
E.K

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe planifikimet policore për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit për media, Policia ka hartuar urdhrin operativ policor, i cili parasheh angazhimin e një numri të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht nga rendi publik, por edhe nga njësi të tjera sipas nevojës, për të garantuar sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Plani operativ është i ndarë në katër faza: periudha parazgjedhore dhe vlerësuese, ofrimi i sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve dhe faza paszgjedhore, që përfshin transportin dhe sigurimin e materialit zgjedhor deri në përfundim të procesit. Policia bën të ditur se faza e parë tashmë është realizuar, ndërsa ka nisur zbatimi i fazës së dytë gjatë fushatës zgjedhore.

Qëllimi kryesor i këtij plani është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, si dhe sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve. Po ashtu, Policia do të kujdeset për përcjelljen dhe sigurimin e të gjithë materialit zgjedhor.

Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë caktuar zyrtarë hetues dhe koordinatorë policorë për trajtimin e çdo rasti që lidhet me procesin zgjedhor.

Policia ka paralajmëruar se çdo vepër penale kundër të drejtës së votimit do të trajtohet në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, duke ritheksuar përkushtimin e saj për profesionalizëm, integritet dhe llogaridhënie. Qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm në numrat 192 ose 038 550 999.