Policia: Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura

12:00 | 14 Dhjetor 2022
E.H

Policia e Kosovës ka njoftuar për situatën aktuale në veri të Mitrovicës.

Sipas njoftimit situata është e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.

“Aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës e cila në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Policia e Kosovës punën e bazon në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime.

Gjithashtu PK demanton mediat serbe dhe persona të caktuar të cilët kanë publikuar një video mesazh, ku kanë spekuluar se gjoja se zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kane ofruar barna ish-zyrtarit policorë serb të arrestuar para disa dite, D.P.

“I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore. Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar”, thuhet tutje në njoftim.

Duke marrë për bazë situatën e krijuar, bllokimin e rrugëve nga grupet kriminale, të cilat vetë po pengojnë qytetarët dhe komunitetin në lëvizjen e lirë, në qasjen dhe shërbimet e nevojshme, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit.

Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës po angazhohet në të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale