Polici në Skënderaj dyshohet se u vra për hakmarrje

18:04 | 29 Shtator 2015
Gita

Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur në qendër të Skënderajt sot pak pas orës 17:00
Vrasja është lajmëruar në KALLXO.com nga një qytetar i Skënderajt.

Drejtori i Policisë Rajonale për Mitrovicë, Nehat Thaçi, konfirmoi për KALLXO.com se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00.

“I vrari ka qenë polic, mirëpo në momentin e vrasjes ka qenë jashtë detyrës dhe se arsyeja është një konflikt ndërmjet dy familjeve”, tha Thaçi.

Ai u shpreh se personat e dyshuar për vrasje nuk janë kapur por ata janë në ndjekje nga ana e Policisë.

E plotësuar

Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur, të martën rreth orës 16:30 minuta në qendër të qytetit të Skenderaj, nga një sulm me kallashnikov.

Gazeta ka mësuar se është vrarë Valon Goxhuli, polic, ndërsa është plagosur një i ri, identiteti i të cilit nuk dihet, i cili ndodhej në veturë me policin, kur një person, që thuhet se është nga Qubreli, ka shtënë me breshëri armësh mbi veturën në lëvizje, në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Skenderaj.

Nga të shtënat ka mbetur i vrarë polici Valon Goxhuli, ndërsa është plagosur i riu,cili thuhet se është nga Klina e Poshtme, mik i Valonit. Dëshmitarët i kanë thënë gazetës se në veturë ndodhej edhe një femër, por ajo nuk është qëlluar, shkruan Zeri.info.

Siç ka mësuar gazeta, rasti ka të bëjë me një vrasje që ka ndodhur një natë para ditës së zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit të viti 2013, kur ishte qëlluar me armë Bekim Biringjiku nga Qubreli, ndërsa i dyshuar për vrasjen e tij ishte pikërisht polici Valon Goxhuli. Gjithashtu mësohet, se polici Goxhuli ishte liruar para disa kohësh, për ta gjetur vdekjen veç pak kohë më vonë, të martën, në qendër të Skenderajt.

Gazeta është përpjekur ta kontaktojë zëdhënësin e Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Avni Zahiti, për të marrë hollësi për ngjarjen, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Shpërndaje në rrjete sociale