Podujeva me 5,740 familje bletësh

15:59 | 30 Tetor 2015
M. A.

Sot në Podujevë është shënuar “Dita e Mjaltit Llapjan”, ku u tha se sektori i bletarisë në këtë komunë çdo vit është në rritje, duke arritur kështu që në këtë vit të kenë 5,740 familje bletësh.

Në manifestimin e organizuar në Sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës, përveç fermerëve-bletarë, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Agim Kikaj, kryetari i Shoqatës së Bletarëve Llapi, Raif Muçolli dhe mysafirë të tjerë.

Kryetari i Komunës, Agim Veliu, duke përshëndetur fermerët bletarë, tha se ndjehet i lumtur që është në mesin e bletarëve të vyseshëm, duke potencuar se sektori i bletarisë në komunën e Podujevës çdo vit është duke shtuar numrin e shoqërive-familjeve të bletëve si dhe numrin fermerëve që po merren me bletari.

“Ne e kemi vlerësuar rolin e bletarisë në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e të ardhurave sidomos për pjesët rurale dhe i kemi dhënë prioritet në projektet tona duke subvencionuar dhe ndihmuar bletarët me pajisje teknike dhe shoqëri bletësh”, tha kryetari Veliu.

Më tej, ai tha se gjatë tri viteve të fundit bletarët janë subvencionuar me 1,525 shoqëri-familje bletësh.

“Në vitin 2012 kemi ndarë 225 shoqëri bletësh, kurse vitin e kaluar kemi ndarë 300 shoqëri, sivjet bletarët i kemi subvencionuar me 1,000 shoqëri-familje bletësh. Kjo ka bërë që nga 2.100 familje bletësh që kishim në vitin 2012 në vitin 2015 të kemi 5,740 familje bletësh”, tha kryetari Veliu, duke potencuar se “qëllimi ynë është që përmes projekteve tona të zbusim papunësinë sidomos në pjesët rurale dhe të krijojmë mundësin që shumë familje përmes kësaj veprimtarie të sigurojnë të ardhura plotësuese”.

“Ne edhe në të ardhmen kemi planifikuar fonde për përkrahje dhe mbështetje të bletarëve me shoqëri bletësh dhe mjete përcjellëse”, tha kryetari Veliu

Kryetari Veliu shprehu bindjen se mjalti llapjan do të gjejë vend jo vetëm në tregun vendor, por edhe atë ndërkombëtar.

Edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Vezir Januzi, ka përgëzuar fermerët llapjanë të cilët me punën e tyre kanë bërë që të arrihen rezultate në sektorin e bujqësisë duke premtuar përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës.

“Bujqësia është prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës dhe faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Prandaj, ne po punojmë fuqishëm në hartimin e dhe zhvillimin e politikave adekuate dhe të favorshme për rritjen e mbështetjes financiare përmes granteve investive dhe pagesave direkte”, tha zëvendësministri Januzi.

Krahas manifestimit të organizuar në Sallën e Kuvendit Komunal, bletarët llapjanë në “Ditën e Mjaltit Llapjan” në sheshin e qytetit në Podujevë organizuan edhe panairin me produktet e mjaltit.

Shpërndaje në rrjete sociale