Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se bisedoi të hënën në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për marrëveshjet e arritura mes dy vendeve deri tani, në veçanti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai njoftoi në rrjetin social X se një ekip ekspertësh nga Beogradi morën pjesë në bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe hartimin e draft-statutit të tij.
“Si gjithmonë, erdhëm në Bruksel të përgatitur mirë!” shkroi ai.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Kurti tha për herë të parë se draft-statuti për themelimin e Asociacionit është “i pranueshëm sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Dokumenti u pranua edhe nga presidenti serb Vuçiq. Autoritetet serbe thanë publikisht se ai është në përputhje edhe me Kushtetutën e Serbisë dhe me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut me Kosovën.
Vendet e tjera perëndimore – SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia – e mbështetën atë.
Pjesë e diskutimeve, sipas tij, ishin edhe shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, çështja e të zhdukurve dhe tema të tjera.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.
Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Ndërkohë, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./rel
Nis seanca për formimin e Qeverisë
Përgjatë një muaji në Kosovë 36 tërmete me intensitet të ulë...
Personi që u plagos në Mitrovicë është 25 vjeçar, ndodhet ja...
Përgjatë një muaji në Kosovë 36 tërmete me intensitet të ulë...
Të shtëna me armë zjarri në Mitrovicë, plagoset një person –...
Osmani e mandaton Kurtin për kryeministër