Peticion për minatorët, kërkohet hartimi i Listës së Sëmundjeve Profesionale

18:03 | 12 Dhjetor 2025
Q L

Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka lansuar sot peticionin në kuadër të projektit “Punëtorët e Padukshëm të Nëntokës: Për një Listë Zyrtare të Sëmundjeve Profesionale për Minatorët e Kosovës”.

Në njoftimin që e ka bërë publik Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, thuhet se peticioni synon t’i kërkojë institucioneve përgjegjëse hartimin dhe miratimin e Listës Zyrtare të Sëmundjeve Profesionale.

“Një hap thelbësor që do të mundësonte: Njohjen ligjore të sëmundjeve të shkaktuara nga puna në miniera, trajtimin adekuat shëndetësor për punëtorët e prekur, kompensimin financiar të merituar për dëmet dhe humbjet, mundësinë e pensionimit të parakohshëm kur gjendja shëndetësore e kërkon, masa parandaluese urgjente për reduktimin e rreziqeve si dhe mekanizma monitorues për mbrojtjen afatgjatë të shëndetit të minatorëve aktivë dhe atyre të pensionuar”, thuhet në njoftim.

Është bërë e ditur se projekti financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe zbatohet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF).

“Aktivitetet e IHDNj synojnë fuqizimin e të drejtave të minatorëve përmes dokumentimit të sëmundjeve profesionale. Peticioni është vazhdimësi e punës së IHDNj për dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të minatorëve dhe dëshmimin e nevojës urgjente për krijimin e kësaj liste”, thuhet në njoftim.

Sindikata thotë se për shumë minatorë, sëmundjet profesionale nuk janë thjesht statistika, janë realitete të përditshme që prekin jetën, dinjitetin, mirëqenien dhe familjet e tyre. “Prandaj, kjo çështje duhet të trajtohet me prioritet të qartë”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.