Peter Due kërkon përgjegjësi për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc

17:02 | 9 Prill 2026
E.G

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij gjashtëmujor në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të enjten, ka theksuar nevojën që sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.

Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe të ruajtjes së momentit pozitiv për arritjen e përparimit në këtë proces.

Due nënvizoi se progresi është i mundur nëse palët angazhohen në mënyrë konstruktive dhe vazhdojnë bashkëpunimin, ndërsa kërkoi që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Në këtë kuadër, ai përmendi edhe rëndësinë e zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu, ai theksoi se zbatimi i marrëveshjeve është kyç për stabilitetin dhe përparimin në rajon.

Due tha se shpreson në një të ardhme të afërt për një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, pasi sipas tij do të ndihmonte në avancimin e dialogut dhe në arritjen e rezultateve konkrete.

“Në veri të Kosovës, rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit në institucionet lokale. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë pa sfida. Në takimet e mia të fundit me disa prej këtyre kryetarëve, dëgjova shqetësime lidhur me dorëzimet e pjesshem, boshllëqet administrative dhe barrierat gjuhësore. Është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta shfrytëzojnë këtë moment, duke avancuar edhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Kurti të zhvillohet në një të ardhme të afërt”, tha ai.

Ai përsëriti thirrjen për bashkëpunim të plotë nga autoritetet në Beograd dhe Prishtinë, me qëllim që përgjegjësit për Banjskë në vitin 2023 dhe për sulmet në Ibër-Lepenc në vitin 2024 të vihen
para drejtësisë. Duke vënë në pah se Kosova ka një aktivizëm dinamik qytetar, Due bëri thirrje për ruajtjen e pavarësisë së gazetarëve, të lirë nga çdo formë presioni politik apo tjetër, si dhe për hetimin dhe ndjekjen e menjëhershme penale të çdo sulmi ndaj tyre.

Duke vënë në dukje shqetësimet e vazhdueshme të komuniteteve jo-shumicë lidhur me barazinë, qasjen në drejtësi dhe shërbime, lirinë e shprehjes dhe çështjet e ndjeshme të të drejtave pronësore, Due theksoi se zbatimi i ligjeve për gjuhët dhe emërimi i një Komisioneri për

Gjuhët janë thelbësorë për promovimin e përfshirjes dhe garantimin e ushtrimit të plotë të të drejtave për të gjitha komunitetet.

Në përfundim, ai nënvizoi se ndërtimi i besimit mbetet prioritet për UNMIK-un, edhe përballë kufizimeve financiare.

“Përmes angazhimeve të tij, Misioni synon të avancojë pjesëmarrjen kuptimplotë të grave dhe të rinjve në proceset politike, si pjesë e një përkushtimi më të gjerë për të nxitur një kulturë paqeje, ku pjesëmarrja është gjithëpërfshirëse, ku dëgjohen të gjithë zërat dhe ku çdo komunitet e sheh veten të përfshirë në rrugën përpara,” përfundoi ai.