Pesë të arrestuar për vrasjet e 1998-ës në Syriganë të Skënderajt, konfiskohen armë dhe uniforma ushtarake

11:29 | 1 Mars 2026
E.G

Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale e Republikës së Kosovës, ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, që ka rezultuar me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas njoftimit, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, pas një pune intensive dhe hetimi profesional, kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998, shkruan Arbresh.info.

Gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale.

Në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, hetuesit kanë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform autorizimeve ligjore. Si rezultat i provave dhe dëshmive të grumbulluara, prokurori special ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, kanë realizuar planin operativ “SYRIGANA”, në gjashtë (6) lokacione të ndara – pesë (5) në Komunën e Skenderajt dhe një (1) në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar.

Gjatë zbatimit të operacionit, përmes prokurorit special është siguruar urdhër verbal për bastisje, i miratuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. Bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, ku janë konfiskuar:

• 1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm
• 1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm
• 2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm
• 1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi
• Uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave

Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale mbetet e përkushtuar në zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme