Pesë shoferë ndëshkohen në Ferizaj – një pa leje, një tjetër “kapet mat” me telefon në dorë

13:34 | 14 Shkurt 2026
E.K

Pesë shoferë janë ndëshkuar nga patrullat e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në kuadër të Rajonit të Ferizajt, gjatë kontrolleve të realizuara në pika të ndryshme të rajonit, për shkelje të rënda në komunikacion.

Sipas njoftimit, njëri prej tyre është dënuar me 500 euro pasi kishte përdorur telefonin gjatë vozitjes, ndërsa kjo ishte kundërvajtja e tij e tretë.

“I.G. (33 vjeç), me veturën BMW, ngjyrë hiri, me targa vendore, është ndaluar në fshatin Davidovc – Shtime, duke përdorur telefonin gjatë ngasjes. Pas verifikimit ka rezultuar se kjo ishte kundërvajtja e tretë e tij. Për këtë i është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe masa mbrojtëse prej 6 muajsh heqje e patentë shoferit”, njofton Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.

Me 500 euro është dënuar edhe një person tjetër që u kap duke vozitur ndonëse i ishte pezulluar leja e vozitjes.

“A.I. (31 vjeç), me veturën VW Caddy, ngjyrë e bardhë, me targa vendore, është ndaluar në rrugën magjistrale Gërlicë – Ferizaj, i cili kishte ndalesë për drejtimin e automjeteve nga data 12.12.2025 deri më 11.03.2026. Për këtë i është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe masa mbrojtëse edhe për 6 muaj heqje e patentë shoferit”.

Ndërkaq, tri dënimet e tjera janë shqiptuar si pasojë e tejkalimeve të bëra në vijë të plotë.