Përurohet çerdhja e re në fshatin Godanc të komunës së Shtimes, Kurti: Investim në vlerë prej 414 mijë euro

14:22 | 2 Tetor 2025
E.K

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bëri përurimin e çerdhes në fshatin Godanc të Shtimes, së cilës i është vënë gurthemeli më 20 tetor të vitit 2023.

Kryeministri Kurti me këtë rast tha se ky investim në vlerë prej 414 mijë euro, me sipërfaqe prej 756 metra katrorë, me 5 klasa të kompletuara me pajisje, përfshijnë gjithçka që është e nevojshme për edukimin e hershëm dhe mirëqenien e plotë të fëmijëve.

“Kjo është çerdhja e gjashtë në komunën e Shtimes dhe e pesta që është realizuar gjatë mandatit të kryetarit, dr.Qemajl Aliut”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se kjo tregon për standardin e lartë dhe punën e madhe që bëhet këtu, edhe në bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe praktikisht kemi zbatuar programin tonë me vlerat tona, që kujdeset për nevojat më të mëdha, nënat dhe fëmijët, pra një program social-demokrat, i cili respekton dinjitetin, të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë e në veçanti pra atyre, të cilët i kanë nevojat e kërkesat më të mëdha.

Kryeministri Kurti tha se ky premtim i mbajtur, është mundësi e re për dhjetëra familje e qindra prindër t’i ndajnë përgjegjësitë me institucionet dhe njëkohësisht të kenë mundësi të profesionalizohen e të aftësohen. Ai gjithashtu theksoi se, fëmijët e tyre përveçse do të mësojnë këtu, do të jenë të shëndetshëm e të sigurt, të rrethuar me përkujdesje, dashuri dhe me përgatitje për nivelet e ardhshme të ngritjes së tyre intelektuale, por edhe të përgatitjes profesionale, që do ta kenë në shkollimin e mëtutjeshëm./Arbresh.info