Përfundon procesi i numërimit të votave, KQZ gati të shpallë rezultatet përfundimtare

08:31 | 9 Janar 2026
E.K

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në orën 02:00 të mëngjesit të së premtes, më 9 janar 2026, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve të fundit nga votimi me postë jashtë Kosovës.

Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, thotë se është mbyllur i gjithë procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 57 ulëse, me 51.11 për qind të votave, apo gjithsej 486,994 vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta me 22 ulëse, duke marrë 20.19 për qind të votave, apo 192,407 vota.

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 15 ulëse, me 13.23 për qind të votave, përkatësisht 126,102 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar 6 ulëse, me 5.50 për qind të votave, apo 52,370 vota.

Lista Serbe (Srpska Lista) ka siguruar ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Me këto rezultate, Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë, përfshirë edhe ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë 45 për qind e trupit votues.

Shpërndaje në rrjete sociale