Përballje në balotazh, 18 komuna në garë, dominon gara mes LVV dhe LDK

11:00 | 21 Tetor 2025
E.H

Pas numërimit të shumicës së votave me postë për kryetarë dhe kuvende komunale në zgjedhjet e 12 tetorit, është konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje i prin garës së përgjithshme për kryetarë komunash, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës garës për kuvendet komunale.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë siguruar pushtetin pa balotazh në nga tri komuna.

LVV-ja ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa PDK-ja në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit.

Pa balotazh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Istog dhe Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan.

Gara është mbyllur që më 12 tetor edhe për Ramiz Lladrovcin në Drenas, si dhe për Nismën në Malishevë. Lista Serbe i ka fituar pa balotazh nëntë komuna me shumicë serbe.

Në 18 komuna të tjera do të zhvillohet edhe raundi i dytë më 9 nëntor.

Lëvizja Vetëvendosje hyn në këtë raund 15 komuna. Si e para LVV-ja garon në Gjilan, Fushë-Kosovë dhe Mitrovicë, ndërsa si e dyta në Gjakovë, Kaçanik, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti dhe Vushtrri.

Në raundin e dytë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të përballen në Gjilan, Fushë-Kosovë, Obiliq, Pejë, Prishtinë dhe Viti. LDK-ja është në garë edhe për Dragash, Suharekë dhe Junik. Në total, LDK-ja garon në 11 komuna.

PDK-ja do të jetë në balotazh në Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë, Prizren dhe Vushtrri.

AAK-ja, si forca e katërt më e madhe politike në Kosovë, në balotazh do të garojë në Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë dhe Junik.

Ndërsa struktura e votave për asambletë komunale është ndryshe. Këtu prin Partia Demokratike e Kosovës, e cila në nivel vendi ka marrë më shumë se 186 mijë vota.

Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 182 mijë vota, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është e treta me rreth 167 mijë vota.
AAK-ja ka marrë rreth 86 mijë vota.

Përballjet në balotazh më 9 nëntor

Përballjet midis Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK):

Gjilan

Fushë-Kosovë

Obiliq

Pejë

Prishtinë

Viti

Përballjet midis Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK):

Mitrovicë

Prizren

Vushtrri

Përballjet midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV):

Gjakovë

Rahovec

Përballjet midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK):

Suharekë

Junik

Përballjet midis Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK):

Dragash

Përballjet midis Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK):

Klinë./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale