Peci priti në takim Wieland, biseduan mbi zhvillimin bujqësor dhe qasjen në tregun evropian

21:07 | 19 Maj 2023
Diellza Gashi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci e priti në takim zyrtar ZëvendësPresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland me të cilin bashkëbiseduan mbi aspekte të ndryshme të zhvillimit bujqësor, duke përfshirë praktikat e qëndrueshme të bujqësisë, qasjen në tregun evropian, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin rural.

Përmes një komunikate për media, thuhet se ministri Peci theksoi rëndësinë e sektorit të bujqësisë në ekonominë e Kosovës, me ç’rast vuri në dukje përkushtimin e qeverisë për modernizimin dhe përmirësimin e praktikave bujqësore.

“Shpreh mirënjohjen time për mbështetjen e marrë nga Bashkimi Evropian dhe njëherit ju siguroj për synimin e qeverisë për të thelluar më tej këtë bashkëpunim. Në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë shpreh vullnetin tonë për angazhim me qëllim të avancimit të sektorit përmes praktikave më të mira evropiane”, tha ministri Peci.

Nga ana e tij, Wieland lavdëroi progresin e arritur nga Kosova në sektorin e bujqësisë dhe vuri në pah potencialin e saj për zhvillim të mëtejshëm.

Ai njëherit theksoi gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të bashkëpunuar me Kosovën në fusha të ndryshme, si: ngritja e kapaciteteve, transferimi i njohurive dhe lehtësimi i qasjes në tregjet e BE-së.