PDK: Mos e lini votën në shtëpi – dilni dhe votoni për veten, për familjen, për vendin

16:09 | 28 Dhjetor 2025
E.G

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Stavileci, në një konferencë për media, tha se sot është dita për të vendosur, jo për të pritur.

“Nëse ende nuk keni votuar, mos e lini votën në shtëpi! Mos e lini vendimin për të tjerët! Sot, secili nga ne e ka në dorë një përgjegjësi të madhe dhe ju që ende nuk keni votuar, dilni dhe votoni! Sot, secila votë ka rëndësi. Ju jeni ata që vendosni, për veten tuaj, për familjen tuaj dhe për të ardhmen e vendit tuaj. Nga një votë e secilit prej nesh ndërtohet një e ardhme për të gjithë”, ka kërkuar ai.

Stavileci tha se në këtë ditë të veçantë për demokracinë tonë dhe për të ardhmen e vendit tonë, qytetarët e Kosovës po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin shtetit, për mënyrën se si duan të jetojnë nesër dhe për shpresën që duan t’u japin fëmijëve të tyre.

“Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat që po marrim nga terreni janë pozitive. Po na vijnë mesazhe të qarta. Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, me bindje të plotë për zhvillim dhe për një jetesë më të mirë për secilin qytetar të Kosovës. Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati shumë të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës, drejt një niveli mbështetjeje dhe një numri in votash që për ne janë historike”, është shprehur ai.

Stavileci ka falënderuar të gjithë për përgjegjësinë qytetare që po e tregojnë sot.

“Ne besojmë se Kosova mundet dhe duhet të bëjë më mirë. Mund të ketë më shumë stabilitet politik, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie dhe më shumë shpresë për të rinjtë që sot po vendosin për të ardhmen e tyre. Sot, secili prej jush është pjesë e këtij vendimi. Prandaj, shfrytëzojeni me përgjegjësi këtë të drejtë për veten dhe familjen tuaj”, theksoi ai./Arbresh.info