Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan ka akuzuar kreun e kësaj komune Lutfi Haziri se është duke e dëmtuar rëndë buxhetin e komunës dhe po shkakton humbje të mëdha financiare përmes kurdisjes së tenderëve, ndryshimeve jo ligjore të kushteve dhe kritereve me qëllim të përshtatjes për kompanitë me të cilat po i negociojnë paraprakisht çmimet e tenderëve.
Në një komunikatë për media, Dega e PDK-së pohon se Haziri dëmtimin e buxhetit komunal po e bën duke joshur përmes tenderëve të majmë, biznese të caktuara që janë të afërta me të, ndërkohë që disa kompani i përjashton nga e drejta për të kontraktuar punë dhe shërbime përmes ligjit të prokurimit.
Këto raste, sipas PDK-së, janë identifikuar nga Komisioni për Ekonomi dhe Financa i kësaj dege në Gjilan, sipas së cilës “dieta buxhetore”, që vazhdon ta proklamojë Haziri tash e tri vjet, nuk është asgjë tjetër pos kamuflim, pas së cilës fshihet pangopësia e kryetarit të një komune si ky, të dështuar në secilën fushë të qeverisjes komunale.
PDK rikujton vendimin e Gjykatës Ekonomike në Prishtinë me nr.484/14 të datës 07.10.2016, me të cilin komuna e Gjilanit detyrohet të paguajë mbi 139 mijë euro dhe 3.5% kamatën ligjore në emër të paditësit “SAS” shpk, për arsye të shkëputjes së njëanshme, që e ka bërë Haziri përmes një urdhërese politike dhe jo ligjore, të kontratës që ka të bëjë me sigurimin fizik të objekteve komunale dhe shkollore.
“I vetmi arsyetim i Lutfi Hazirit për shkëputjen e kontratës, ishte “kostoja e lartë e financiare”, ndërkaq tani, për të tretën herë radhazi, është duke shpallur tender në vlerë edhe më të madhe, të planifikuar mbi 800 mijë euro. Zyra e prokurimit është duke tentuar që këtë kontratë t’i japë kompanisë së preferuar të kryetarit të komunës dhe dy herë ka përjashtuar kompaninë e cila kishte dal fitues me ofertën me çmimin më të ulët”, thuhet në komunikatë.
Për më tepër, Dega e PDK-së në Gjilan shpreh brengosjen për shkak se komuna e Gjilanit po eliminon të gjitha kompanitë nga konkurrenca për të marrë punë dhe kontrata, e të cilat nuk janë financues të LDK-së dhe të Lutfi Hazirit.
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, sërish i bënë thirrje kryetarit Haziri që të ndalë këto veprime jo ligjore, që të mos i shkaktojë edhe më tej humbje të mëdha financiare buxhetit të komunës, të mos i dëmtojë kompanitë sipas “shijes” së tij politike dhe të mos i keqpërdorë tenderët me qëllim të joshjes dhe financimit të aktivitetit të tij politik dhe të partisë së tij.
Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsion i ka anuluar komunës së Gjilanit së paku 6 tenderë, me arsyetimin se prokurimi ka vendosur kritere jashtë kuadrit ligjor dhe duke bërë diskriminim dhe trajtim jo të barabartë të kompanive ofertuese.


Kosova dhe Kolumbia nënshkruajnë tri marrëveshje, hiqen viza...
Shqipëria kryeson në rajon për transformimin politik dhe qev...
Sulmohet baza ajrore në Arabinë Saudite, 10 ushtarë amerikan...
Dogana lufton kontrabandën, sekuestron 1000 litra etanol në ...
Kombëtarja e Kosovës zhvillon stërvitjen e radhës në stadium...
Ngjarje e rëndë në Vushtrri: Vdes fëmija pasi goditet akside...