Pas rritjes së çmimit të rrymës, paralajmërohet shtrenjtimi i ujit dhe ngrohjes

15:07 | 16 Prill 2025
Q L

Në vitet e fundit, rritja e çmimit të energjisë elektrike është bërë një nga shqetësimet kryesore për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.

Zyra Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), më 16 prill ka miratuar tarifat e reja energjetike, të cilat janë shtrenjtuar për 16.1% krahasuar me vitin e kaluar.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.

Kundër shtrenjtimit të rrymës, në prill u mbajtën disa protesta në Prishtinë.

Shtrenjtimin e kanë kundërshtuar edhe përfaqësues të bizneseve, sipas të cilëve, kjo do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera.

Njohësi i ekonomisë, Ismet Mula tha se në të ardhmen e afërt pritet të ketë edhe rritje të ujit dhe ngrohjes, shkruan Arbresh.info.

“Është e mundur që në të ardhmen e afërt të kemi rritje të çmimeve të ujit dhe ngrohjes. Këto shërbime janë të lidhura ngushtë me përdorimin e energjisë elektrike për operimin e sistemeve përkatëse. Ndërsa kostoja e energjisë vazhdon të rritet, ato mund të jenë të detyruara të përshtatin çmimet për të mbajtur qëndrueshmërinë ekonomike të shërbimeve”, pohoi Mulaj.

Tutje, ai tregoi edhe se cilët sektorë priten të preken më shumë.

“Produkte ushqimore siç janë ushqimet që kërkojnë energji për prodhimin dhe përpunimin e tyre, siç janë bukët, mishi, qumështi dhe ushqimet e gatshme. Produkte industriale si materialet e ndërtimit, pajisjet dhe makineritë që përdorin energji elektrike në proceset e prodhimit. Shërbime publike si kostoja e ujit dhe ngrohjes mund të rritet, pasi shpesh kjo energji përdoret në sistemet e shpërndarjes së ujit dhe ngrohjes”, tha ai.

Po ashtu, Mulaj tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë një ndikim të ndjeshëm në ekonominë e Kosovës.

“Pjesa më e madhe e industrive dhe bizneseve që varen nga energjia elektrike për prodhimin e mallrave ose për shërbime, do të kenë vështirësi për të ruajtur marzhet e fitimit dhe mund të kërkojnë rritjen e çmimeve të produkteve për të mbajtur qëndrueshmërinë financiare”, u shpreh në fund Mulaj.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë ka sjellë një barrë ekonomike për qytetarët, dhe pasiguri për të ardhmen./Arbresh.info