Partitë politike nuk e respektuan kuotën gjinore në listat zgjedhore

14:55 | 18 Janar 2021

Instituti Demokracia për Zhvillim ka njoftuar përmes një postimi në facebook se as në këto zgjedhje nuk u respektua kuota gjinore në listat e partive politike, shkruan Arbresh.info.

“Instituti Demokraci për Zhvillim ditë më parë ftoi të gjitha subjektet politike që të demonstrojnë frymë demokratike dhe gjithëpërfshirëse gjatë gjithë ciklit zgjedhor, me theks të veçantë përpilimit të listave zgjedhore në mënyrë proporcionale për burrat dhe gratë kandidate komfort Ligjit për Barazi Gjinore. Megjithatë, subjektet politike përpilimin e listave zgjedhore përsëri nuk e bënë në mënyrë të barabartë, siç nuk e kishin bërë as në zgjedhjet e parakohshme në vitin 2019, kështu duke e respektuar vetëm kriterin minimal të kuotës gjinore 30% për gjininë më pak të përfaqësuar e cila është e rregulluar në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme” thuhet në njoftim.

Sipas këtij instituti nga 110 kandidatë bazuar në ligj, listat e subjekteve politike do të duhej të kishin 55 emra grashë dhe 55 emra burrash.

“Nga gjithsej 110 kandidatë në listat zgjedhore të subjekteve politike, në bazë të Ligjit për Barazi Gjinore listat duhet të kishin 55 emra grashë dhe 55 emra burrash” thuhet më tej.

Poashtu nga IDK thonë së njësoj ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2019

“Ndërkaq përbërja e listave të subjekteve politike u bë si në vijim: LDK në zgjedhjet e vitit 2019 kishte 34 gra në listë nga gjithsej 110 kandidatë, ndërsa kësaj radhe vendosi që të plotësojë vetëm kriterin minimal me 33 gra. PDK edhe këtë vit po sikurse në vitin 2019 vazhdojë me kandidimin e 33 grave në listë. AAK po ashtu mbajti të njëjtin numër edhe në këtë listë me gjithsej 34 gra. Nisma Social demokrate rriti numrin e grave për një, nga 33 sa kishte në vitin 2019 në 34 në këto zgjedhje. Ndërsa në këto zgjedhje LVV është subjekti me më së shumti gra në listën zgjedhore, nga 34 sa kishte në zgjedhjet e kaluara në 41 gra kandidate në listën aktuale. Megjithëse kishte një rritje më të madhe, përsëri nuk respektoi Ligjin për Barazi Gjinore” përfundon njoftimi./Arbresh.info/

Lajmet më të lexuara