Paralajmërohet përshkallëzim i protestave kundër shtrenjtimit të rrymës: Do të bllokojmë rrugë e institucione nëse nuk ka reflektim

12:33 | 18 Prill 2025
E.K

Grupi “Asnjë cent më shumë” paralajmëroi se do të vazhdojnë me aktivitete të tjera dhe se, nëse edhe pas ditës së nesërme nuk ka reflektim nga institucionet, do të detyrohen të masivizojnë protestat, duke përfshirë përshkallëzimin e tyre.

Këtë e deklaroi bashkë-iniciatori i kampanjës “Asnjë cent më shumë”, Besnik Shabiu, gjatë një konference për media të mbajtur sot afër Kuvendit të Kosovës.

Ai theksoi se qëllimi i tyre nuk është krijimi i dëmeve, por paralizimi i aktiviteteve të institucioneve. Sipas Shabiut, njëra nga alternativat është paralizimi i aktiviteteve të institucioneve, përfshirë bllokimin e rrugëve dhe shesheve.

“Nesër ka qëllu që do të jetë edhe seanca e Kuvendit. Prej këtij sheshi do tu bëjmë thirrje deputetëve që ta shtyjmë këtë proces dhe në momentin kur të konstituohet Kuvendi të thirret në Komision, Zyra e Rregullatorit për Energji. Nëse edhe pas ditës së nesërme nuk ka reflektim, jemi të detyruar t’i masivizojmë protestat, e ky masivizim nënkupton edhe përshkallëzim. Nuk jemi të lumtur ta themi këtë, nuk jemi për përshkallëzim, por ne do të bllokojmë edhe rrugë, edhe institucione që zëri ynë të dëgjohet. Sot u paralajmërua edhe rritja e çmimit të miellit dhe të produkteve të tjera, prandaj është shumë e rëndësishme që qytetarët të dalin në protestë”, thanë ata para mediave.

Avokati, Ardian Bajraktari tha se krahas padisë kanë punuar edhe në hartimin e propozimit për masë të përkohshme, çka do të shtynte sipas tij, ekzekutimin e vendimit.

“Ne po presim publikimin e vendimit i cili do të duhej me ndodh, akoma nuk është bërë. Sot jam drejtuar me kërkesë zyrtare përmes email-it zyrtar ZRrE-së që ta kemi sa më parë këtë vendim në mënyrë që të njëjtin ta analizojmë dhe ta procedojmë, përkatësisht ta finalizojmë padinë. Po ashtu, vlen të theksohet se krahas padisë kemi punuar dhe po punojmë edhe në hartimin e propozimit për masë të përkohshme, si masë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, për faktin se jemi të bindur që plotësohen kriteret ligjore të përcaktuara në nenin 100 të Ligjit për Konflikt Administrativ. Për faktin se një vendim i tillë paraqet dëm vështirë të riparueshëm për palët në procedurë, përkatësisht për qytetarët”, tha ai./Arbresh.info