Pacolli: Mungesa e konsensusit politik po e çon vendin drejt zgjedhjeve

00:09 | 29 Prill 2026
Q L

Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar situatën si serioze dhe me pasoja për vendin.

Ai ka theksuar se moszgjedhja e Presidentit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Moszgjedhja e Presidentit në Kuvendin e Kosovës, brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, përbën një situatë serioze institucionale që e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka shkruar Pacolli.

Sipas tij, Kushtetuta e parasheh qartë rrugën që duhet ndjekur në raste të tilla.

“Kushtetuta e parasheh qartë se nëse brenda afatit të caktuar nuk arrihet zgjedhja e Presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi detyrohet të rikthehet te sovrani përmes procesit zgjedhor”, theksoi ai.

Pacolli ka vlerësuar se kjo situatë është rezultat i mungesës së konsensusit politik ndërmjet partive parlamentare.

“Kjo situatë është pasojë direkte e mungesës së konsensusit politik ndërmjet partive parlamentare, të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka shtuar se dështimi për të zgjedhur Presidentin reflekton një krizë më të thellë institucionale.

“Përtej dallimeve politike, ky dështim reflekton një krizë më të thellë të bashkëpunimit institucional dhe një mungesë përgjegjësie ndaj rendit kushtetues”, u shpreh Pacolli.

Ai ka paralajmëruar se kalimi i afatit pa rezultat aktivizon mekanizmat kushtetues për shpërndarjen e Kuvendit.

“Kalimi i afatit kushtetues pa një rezultat konkret jo vetëm që bllokon një nga funksionet më të rëndësishme të shtetit, por gjithashtu aktivizon mekanizmat kushtetues që çojnë në shpërndarjen automatike të Kuvendit”, ka thënë ai.

Në fund, Pacolli e ka cilësuar procesin zgjedhor si mundësi për rikonfigurim politik, por edhe me kosto për vendin.

“Zgjedhjet e reja në këtë kontekst nuk janë vetëm një procedurë formale, por një mundësi për të rikonfiguruar skenën politike dhe për të krijuar kushte për një stabilitet më të madh institucional. Megjithatë, ato gjithashtu sjellin kosto politike, ekonomike dhe kohore për vendin”, përfundoi Pacolli.

Shpërndaje në rrjete sociale