Pacolli: Me Çim Pekën asnjëherë nuk folëm apo komentuam për Kryeministrin

18:02 | 19 Tetor 2025
E.G

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me një takim që ka pasur me Çim Pekën.

Në një postim në Facebook, ai tha se bëhej fjalë për një vizitë miqësore dhe jo në rolin e gazetarit.

“Sot pashë një postim nga Çim Peka. Çimi është një mik i imi i vjetër. Me të kam pasur komunikim dhe respekt të ndërsjellë — jemi takuar disa herë dhe më ka vizituar, ashtu si çdo mysafir tjetër. Edhe dje më trokiti në derë si mysafir, por kurrsesi në rolin e gazetarit apo drejtuesit të ndonjë media; ishte thjesht një vizitë miqësore, ashtu si e do tradita”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka treguar se gjatë takimit janë diskutuar tema të ndryshme, përfshirë edhe fushatën ndaj tij.

“Natyrisht, biseda mes miqve është e pashmangshme dhe folëm për shumë tema, përfshirë edhe fushatën denigruese, të mirë të orkestruar kundër meje, dhe për zanafillën e saj. Diskutuam edhe për aeroportin, përfshirë dhe për kontratën e kredisë për financimin ndër të tjera të punimeve të papërfunduara në aeroportin e Vlorës, financim i cili është realizuar 100% me kolateralet e mia personale dhe me asetet e kompanisë sime; financim që, fatkeqësisht disa media, shpresoj nga padija, apo qëllimshem i kanë dhënë interpretime absurde”, shkruan ai.

Pacolli shton se me Pekën kanë folur edhe për shumë çështje të tjera, por jo për Kryeministrin apo qeverinë.

“Me z. Peka folëm dhe për shumë gjëra të tjera, por ndonëse fushata e ndërmarrë nga disa dashakeq bukëshkalë që do të përballen me drejtësinë patjetër mund të klasifikohet si histori filmash serial, asnjëherë nuk folëm apo komentuam për Kryeministrin, institucionin e tij apo politikat qeveritare”, përfundon Pacolli./Arbresh.info/