Pacolli: Kosova përfiton 181.5 milionë euro grante nga BE-ja në kuadër të programeve IPA 2026–2027

19:08 | 7 Korrik 2026
H.E

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Kosova do të përfitojë 181.5 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian në kuadër të programeve IPA 2026–2027.

Sipas Pacollit, gjatë një takimi me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë është konfirmuar se paketa e re e granteve ka kaluar në Komitetin e Shteteve Anëtare të BE-së dhe pritet të miratohet zyrtarisht gjatë këtij muaji.

Ajo theksoi se një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve do të investohet në projekte që udhëhiqen nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Pacolli bëri të ditur se përfaqësuesit e BE-së kanë vlerësuar pozitivisht reformat e ndërmarra në mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e mbeturinave, sektorin e ujërave dhe zgjerimin e zonave të mbrojtura.

Sipas saj, mbështetja do të shkojë për projekte strategjike, përfshirë ndërtimin e digave të reja, rehabilitimin e deponive, investimet në mbrojtjen nga vërshimet dhe projektet për ruajtjen e biodiversitetit.

Pacolli njoftoi gjithashtu se me përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, është dakorduar organizimi i një konference me donatorë gjatë vjeshtës, me synim sigurimin e fondeve shtesë për realizimin e projekteve të ministrisë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale