Pacolli i shqetësuar me anashkalimin e Masakrës së Tivarit

16:47 | 22 Prill 2015
M. A.

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në facebook, ka shprehur shqetësimin e tij për masakrën e Tivarit, ku sipas tij është një nga masakrat më të mëdha të kryera mbi popullin tonë.

Ai në postimin e tij ka thënë se është koha që të kërkohet nëpër arkivat e të gjitha shteteve të interesuara rreth këtij, siç e quan ai, momenti tragjik të historisë sonë.

Ja postimi i plotë i z. Pacolli:

Kam lexuar vazhdimisht artikuj mbi masakrën e Tivarit dhe kohët e fundit pjesë nga një libër i një historiani të Shqipërisë që quhet Uran Butka. Është padyshim një nga masakrat më të mëdha të kryera mbi popullin tonë, në një periudhe të shkurtër, dhe jashtë një konteksti luftimesh ushtarake, apo partizane. Kam lexuar polemika të ndryshme rreth fajtorëve në Kosovë, në Jugosllavi, në Shqipërinë komuniste, etj.

Pas gjithë atyre çkam lexuar mund të nxjerr disa përfundime:

Pse vallë në Kosovë s’janë marrë më cilësisht me këtë masakër? Dmth pse s’ka më shumë kërkim shkencor rreth këtij momenti tragjik të historisë sonë që nuk është dhe aq e largët?

Është koha që këto studime të bëhen, me kërkime nëpër arkivat e të gjitha shteteve të interesuara. Tash marrëdhëniet midis vendeve të ndryshme, gjegjësisht Kosovës, Malit të Zi, Serbisë- me Shqipërinë është një situatë krejt tjetër-, janë shumë më të relaksuara.

Pra studiuesit tanë kanë mundësi me shkuar nëpër arkivat e ushtrisë jugosllave, e njësive komunale të atyre zonave ku ka kaluar karvani me ata fatkeqë që nuk e dinin ku po shkonin..

Dhe më në fund, tash që marrëdhëniet e Kosovës me Malin e Zi janë normalizuar, pse shteti i Kosovës nuk i kërkon atij të Malit të Zi, komunës së Barit (Tivarit), që të lejojë ngritjen e një përmendoreje në vendin ku janë vrarë barbarisht mijëra shqiptarë, vetëm e vetëm për t’i dhënë shembull nënshtrimi popullsisë shqiptare të Kosovës?

Të vdekurit, të vrarët duhen nderuar pavarësisht ngjyrës politike, megjithëse në këtë rast as që bëhet fjalë për ngjyrë politike, por për njëlloj genocidi të konsumuar diku jashtë territorit të banuar me shqiptarë. Mali i Zi s’ka arsye pse ta refuzojë një nderim të vonuar dhe plotësisht të merituar ndaj këtyre viktimave. Mali i Zi s’ka asnjë arsye pse të ndjehet fajtor, pse ai nuk është trashëgimtari unik i Jugosllavisë së dikurshme që nuk ekziston më.

Unë pres që autoritetet tona ta ngrejnë këtë problem në takimet dypalëshe. Do nxisja familjarët e viktimave të organizohen për të krijuar një grup presioni ndaj qeverisë për të shkuar deri tek zgjidhja- njëlloj qetësimi i ndërgjegjes, apo dhe nderimi i vonuar për viktimat e një strategjie genocidale të planifikuar që herët në Beograd./Arbresh.info/

 

11149296_10155432555365153_4826614016228913036_n

Shpërndaje në rrjete sociale