OVL-UÇK për ngërçin në Kuvend: Nuk do të qëndrojmë duarkryq

16:22 | 18 Korrik 2025
E.K

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – OVL, SHIL dhe SHFD – kanë shprehur shqetësim të thellë për ngërçin e krijuar në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në një reagim të përbashkët, këto organizata theksojnë se, pas 48 tentimeve të dështuara për konstituimin e Kuvendit, duket se partitë politike nuk kanë vullnet të sinqertë për të gjetur një zgjidhje dhe për të tejkaluar këtë bllokim institucional.

“Kjo situatë e krijuar së fundmi, ku janë bërë 48 tentime për konstituim, tregon qartë se partitë politike nuk kanë vullnet të sinqertë për të gjetur një zgjidhje dhe për të dalë nga ky bllokim institucional. OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së u bën thirrje të gjitha partive politike, me theks të veçantë partisë së parë që ka dalë fituese nga zgjedhjet e fundit parlamentare, që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për konstituimin e institucioneve, sepse kjo situatë është e papranueshme për ne si kategori të dala nga lufta dhe të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në reagim.

Organizatat nënvizojnë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar qartë se Kuvendi duhet të konstituohet deri më 26 korrik 2025.

“Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne nuk po kërkojmë privilegje. Ne nuk po kërkojmë favore politike. Ne po kërkojmë vetëm një gjë: zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nëse ky vend nuk funksionon mbi bazën e Kushtetutës, atëherë për çfarë kemi luftuar ne? Nëse institucionet nuk respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë kush tjetër duhet t’i respektojë ato para tyre? Shteti nuk mund të mbahet peng nga asnjë individ, qoftë ai edhe Kryeministër”, thuhet tutje në njoftim.

Nëse deri më 26 korrik nuk ka reflektim nga partitë politike për zgjidhjen e kësaj situate, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së paralajmërojnë se nuk do të qëndrojnë duarkryq./Arbresh.info