OVL e UÇK-së reagon pas ligjëratës së Speciales në Prishtinë: Fushatë propagandistike

18:35 | 22 Janar 2026
Q L

Lidhur me raportimet se zyrtarë të Gjykatës Speciale kanë mbajtur ligjërata për nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” gjatë ditës së enjte, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në reagimin e organizatës thuhet se ligjërata nuk ishte e rastësishme, por sipas saj, përpjekje e qartë e Dhomave të Specializuara për “kontroll të dëmit” ndaj imazhit të tyre të rënduar, pas shkeljeve të njëpasnjëshme që i kanë bërë ndaj të drejtave themelore të të akuzuarve dhe ndaj vetë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Në vend që të merret me fushata propagandistike dhe menaxhim të imazhit publik, Gjykata Speciale duhet ta përmirësojë besueshmërinë e saj duke respektuar Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë”, thuhet tutje në reagim.

Këto skena, OVL e UÇK-së thotë se përkujtojnë mënyrën si dikur kanë vepruar edhe organet e pushtetit në ish-Jugosllavi, përkatësisht Lidhja Komuniste dhe Lidhja Socialiste, ‘të cilat pas demonstratave të lëvizjes studentore të vitit 1981 organizonin mbledhje nëpër fshatra dhe kolektive pune, me qëllim të dënimit të organizatorëve të këtyre demonstratave dhe të përgatitjes politike e psikologjike të popullit për t’i pranuar si të mirëqena dënimet drakonike që pushteti i atëhershëm po përgatitej t’ia shqiptonte rinisë shqiptare’.

Kjo qasje e njohur e propagandës dhe presionit institucional nuk i shërben drejtësisë, thotë organizata, por imponimit të një narrative të parapërgatitur.

Ndërkaq, sipas OVL UÇK-së shkeljet kryesore që e kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Gjykatës Speciale janë:

Shkelja e parimit të barazisë para ligjit, duke ndjekur penalisht vetëm një palë, luftën çlirimtare të UÇK-së, ndërkohë që krimet serbe mbeten të pandëshkuara.

Mohimi i vazhdueshëm i lirimit të përkohshëm, edhe në rrethana humanitare, në kundërshtim me praktikën evropiane dhe parimin e proporcionalitetit.Zgjatja e pajustifikueshme e paraburgimit, pa vendime përfundimtare, duke e shndërruar paraburgimin në dënim paraprak.

Cenimi i dinjitetit njerëzor të të paraburgosurve, përmes kushteve kufizuese dhe trajtimit që nuk i përgjigjet standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies publike, përfshirë refuzimin për të adresuar shqetësimet e institucioneve dhe organizatave të veteranëve.Ndërhyrje indirekte në sfera të ndjeshme shoqërore, si arsimi, pa autorizim institucional dhe pa debat publik, gjë që ngre dyshime serioze për ndikim dhe propagandë.