Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar detaje nga përballja e saj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në samitin e sotëm të Procesit të Brdo-Brijunit që u zhvillua në Durrës.
Ajo pas përfundimit të samitit, tha se homologu i saj serb, Aleksandër Vuçiq, iu drejtua samitit në të cilin morën pjesë edhe presidentët e rajonit me ofendime dhe arrogancë, duke tentuar që të prishë takimin, mirëpo në fund arritën që të miratojnë deklaratën e përbashkët me unanimitet.
Osmani tha se çdo propagandë të Vuçiqit që synonte ta prezantonte para pjesëmarrësve, ajo kishte argumentet të cilat janë fuqizuar edhe nga e drejta ndërkombëtare.
Sipas Osmanit, presidenti serb u ankua edhe për aleancën që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, kanë nënshkruar në fushën e mbrojtjes gjatë këtij viti, por që mori rikonfirmimin që ky bashkëpunim ka për qëllim vetëm mbrojtjen e tri vendeve.
Krahas kësaj, Osmani nënvizoi se Kosova është për bashkëpunim rajonal, por të njëjtën kohë dëshiron të mbrojë interesin shtetëror të saj, sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Vuçiqi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë me tentimin që të prishë takimin. Arritëm në fund që të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet dhe natyrisht për çdo propagandë që Vuçiq synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme. Argumentet në anën e së drejtës dhe ato që janë fuqizuar edhe nga e drejta ndërkombëtare. Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por të njëjtën kohë do të mbrojmë interesin tonë shtetëror, do të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial. Edhe pse Vuçiq kishte ankesa për paktin tonë dhe marrëveshjen e përbashkët Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes. Ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës tonë si komb, ne askund nuk kemi sulmuar dhe pushtuar askënd, por gjithnjë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten. Aleancat tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë konkret, rreziku vjen nga Serbia”, theksoi ajo.
Në anën tjetër, presidentja Osmani u shpreh e ashpër me Bashkimin Evropian në lidhje me moslargimin e masave ndëshkuese, si dhe mosshqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në union.
Ajo tha se vendet anëtare të BE-së nuk po e bazojnë procesin e integrimit në merita, por në bazë të agjendave politike.
“Kosova mbetet akoma nën sanksionet e Bashkimit Evropian për të cilat askush nga shtetet anëtare nuk është e gatshme të japë një arsye se pse janë ende në fuqi, edhe pse se të gjitha kushtet e parapara në marrëveshjen e Bratisllavës janë plotësuar. Njëkohësisht, edhe pse aplikacioni ynë është dorëzuar për anëtarësim qysh në vitin 2022, deri tani për shkak të disa shteteve anëtare as nuk është mandatuar Komisioni Evropian për t’u marrë me çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën. Kjo na sjell te konkluzioni se procesi nuk është i bazuar në merita, por ka zhvillime politike, konsiderata vetanake që shtetet anëtare i marrin parasysh për të përkrahur një shtet apo jo. Sikur të ishte e bazuar në merita, Kosova si reformatorja numër një, jo vetëm në rajon, por sipas Institutit Gallup për sundimin e ligjit jemi numër një në Evropë dhe numër tre në botë, do të ecte shumë përpara dhe tani do të ishim shumë afër anëtarësimit. Fatkeqësisht, zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë”, tha ajo.
Krahas presidentes Vjosa Osmani, në samitin e sotëm morën pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj,presidentja e Sllovenisë, Natash Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Procesi i Brdo-Brijunit është një ngjarje shumëpalëshe vjetore në Ballkanin Perëndimor. Ai u iniciua në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia.
Procesi i Brdo-Brijunit përfshin Slloveninë dhe Kroacinë, shtete anëtare të BE-së, dhe kandidatët e kandidatët potencialë për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina.
Hetemi gati për ta dorëzuar mandatin e kryetarit të Leposavi...
Lista Serbe merr pushtetin në komunat në veri të Kosovës
Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Se...
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...