Osmani: Vendin në këtë situatë e sollën njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme

09:20 | 6 Mars 2026
E.K

Presidentja e Kosovo, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Në një konferencë për media, Osmani tha se dështimi i seancës së së enjtes mbrëma për zgjedhjen e presidentit e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ajo theksoi se fakti që Kuvendi nuk i shfrytëzoi ditët që kishte në dispozicion për ta përmbyllur procesin nuk e ndryshon Kushtetutën.

“Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfryttëzojë ditët që i kishjte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtutetën tonë. Asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues. Vetëm një vendim i Gjykatës do të mund ta bënte një gjë të tillë. Dhe një vendim i Gjykatës nuk ekziston deri në këto momente. Kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar”, tha ajo.

Ajo u shpreh se vendin në këtë situatë e sollën “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.

“Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa pra, zvarritjet do të krijonin situata shumë më të rrezikshme. Paqartësi kushtetuese, një proces i zvarritu pafund, siç e kemi parë në tërësi edhe vitin e kaluar dhe një shtet që tenton ta relativizojë edhe vet Kushtetutën e tij.

Shteti mbahet në këmbë nga një parim i vetëm: Ligji e Kushtetuta mbi të gjithë. Sot po përmbush një detyrim të qartë kushtetues dhe po ua rikthej fjalën atyre që në demokraci e kanë fjalën e fundit, qytetarit të Republikës”, tha Osmani.