Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia është burimi i vetëm i destabilitetit në rajon, duke e akuzuar për veprime agresive, akte terroriste dhe përpjekje për destabilizimin e shteteve fqinje. Sipas saj, qëllimi i udhëheqjes serbe është rikthimi i Ballkanit në të kaluarën, ndërsa ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të mbrojë veten dhe të kundërshtojë çdo tendencë hegjemoniste që vjen nga Beogradi.
Në një intervistë për TRT Balkan, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur hapur për Deklaratën për bashkëpunim ushtarak që Kosova ka nënshkruar me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke theksuar se ky është një hap i natyrshëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Ajo theksoi se ky bashkëpunim, që ka ekzistuar prej kohësh, tani është formalizuar në një marrëveshje trepalëshe dhe është në përputhje me standardet e NATO-s.
Presidentja Osmani ka përmendur gjithashtu se Kosova po bisedon me disa shtete të tjera për të zgjeruar këtë bashkëpunim, por nuk ka dhënë detaje për emrat e mundshëm.
Për sa i përket reagimit të Serbisë ndaj kësaj marrëveshjeje, Osmani e ka quajtur atë tipik dhe ka thekssuar se Serbia vazhdon të mbetet burimi i destabilitetit në rajon.
“Serbia ka vepruar me akte agresioni dhe akte terrorizmi. Serbia ka tentuar ta shkatërrojë Bosnje e Hercegovinën nga brenda duke e destabilizuar. Serbia shkakton probleme ndaj Kroacisë dhe vendeve të tjera në rajon. Pra, është shumë e qartë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor se kush është burimi i vetëm i destabilitetit – dhe ajo është Serbia”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se Kosova do të mbrojë interesat e saj dhe do të vazhdojë të punojë me partnerët e NATO-s për të siguruar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.
“Ne padyshim që do ta mbrojmë vetveten nga këto ide hegjemoniste dhe imperialiste që ka udhëheqja e Serbisë, e cila synon të na kthejë në vitet ’90, të na kthejë në të kaluarën. Ne duhet të shikojmë drejt së ardhmes. Dhe e ardhmja mund të jetë e qetë dhe e qëndrueshme vetëm nëse mund të mbrohemi nga agresorë si Serbia, e cila gjithashtu sjell ndikime të dëmshme në rajon nga Rusia, Kina dhe Irani”, ka theksuar ajo.
Presidentja e Kosovës ka thënë gjithashtu se Kosova dhe vendet e tjera të rajonit janë të harmonizuara me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian dhe po punojnë ngushtë me partnerët e NATO-s për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.
“Forcat e Sigurisë së Kosovës tashmë janë duke shërbyer krah për krah me forcat e SHBA-së, Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në misione paqeruajtëse në mbarë botën”, ka thënë mes tjerash Osmani.
Angazhimet institucionale, Osmani anulon pjesëmarrjen në Kon...
Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e policit M...
Protesta të mëdha në Argjentinë kundër reformave të punës, p...
Kush janë 16 kandidatët që do t’i zëvendësojnë ministrat në ...
Shqipëria po “shuhet”, lindjet në 2025-n ishin 74% më të ulë...
Samiti i NATO-s në Bruksel, Vengu: Shqipëria e përkthen anga...