Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka pranuar një ftesë personale nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e themeluar nga SHBA, ku Kosova është përzgjedhur si anëtare themeluese, shkruan Arbresh.info.
Në një deklarim për media, Osmani e cilësoi këtë ftesë si një moment me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare të iniciuar nga SHBA dhe me Kosovën të përfshirë që në fazën e themelimit.
“Ky është një zhvillim i rëndësisë historike për Kosovën, sepse është anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si anëtare themeluese, e themeluar nga SHBA”, tha Osmani, duke shtuar se përzgjedhja e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me përvojën e saj në shtetndërtim dhe ndërtimin e paqes.
Presidentja vlerësoi se kjo iniciativë ka potencial të madh për sukses në skenën globale, duke e lidhur drejtpërdrejt me lidershipin amerikan.
“Kam besim të plotë që kjo organizatë do të jetë një nga më të suksesshmet në historinë moderne, për shkak të vizionit dhe lidershipit të presidentit Trump dhe SHBA, si dhe për shkak se bazohet në vlerat themelore të paqes”, theksoi ajo.
Osmani sqaroi po ashtu se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes nuk përfshin detyrime financiare të detyrueshme, duke bërë të ditur se kontributet eventuale mbeten vullnetare.
“Në dokumentacionin që na është dërguar nuk përmendet ndonjë pagesë e obligueshme. Kjo u lihet shteteve në baza vullnetare dhe për gjithçka jemi në koordinim me SHBA”, deklaroi presidentja.
Sipas saj, përfshirja e Kosovës në këtë organizatë përfaqëson një njohje ndërkombëtare të rolit dhe përvojës së saj në ndërtimin e paqes, si dhe një mundësi konkrete për të kontribuar në stabilitetin dhe paqen globale./Arbresh.info/
Romano jep detaje lidhur me mundësinë e vazhdimit të kontrat...
Kurti nderon Ibrahim Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes së tij...
Man City me gjest të jashtëzakonshëm për tifozët, pas humbje...
Trump bën deklaratën më të qartë deri më tani – përjas...
Zjarr në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, digjet një bojl...
Ardit Tahiri prezantohet tek Kolos Kovalinka