Osmani: Nuk do të krijoj parti të re politike

19:05 | 5 Qershor 2015
M. A.

Vjosa Osmani tha se asesi nuk do të krijoj parti të re politike dhe kontributin tim politik do ta jap tek LDK-ja.

Osmani ka deklaruar se kishte biseduar me Fatmir Sejdiun për të arritur një marrëveshje dhe se ai nuk i ka bërë premtime konkrete.

“Me Sejdiun kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, në mënyrë që të arrinim një marrëveshje. Qëllimi ishte që të dilnim publikisht në mënyrën që të përfaqësonim të gjitha gjeneratat e LDK-së. Ai nuk më ka premtuar asgjë konkretisht rreth kandidimit dhe zgjedhjes time”, tha Osmani.

“I kam kërkuar Mustafës garim fer. Ai ka ngulmuar në zgjedhje të hapura për shkak se i është frikësuar konkurrencës nga unë. Reforma nuk e kishte emrin e Vjosa Osmanit, por të kryesisë së LDK-së. Reformimi është kërkesë e kryesisë së partisë dhe ne nuk do të ndalemi derisa ta arrijmë. Nuk do më largojnë nga LDK-ja për shkak se kontributi dhe veprimtaria në parti nuk lidhet me pozitat kryesuese në asnjë organ”, tha me tej Osmani, transmeton Klan Kosova.

Ajo madje tha se nuk ka pasur asnjë kontakt prej kur ka votuar kundër koalicionit qeveritar LDK-PDK.

Shpërndaje në rrjete sociale