Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Bërdo-Brijuni, i cili po mbahet në Shkup, ka takuar presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar.
Në takim, Osmani e ka vlerësuar partneritetin në mes të dy vendeve, duke theksuar se Kosova vazhdon të jetë mirënjohëse për rolin aktiv të Sllovenisë në mbështetjen e të ardhmes evropiane të Kosovës, shkruan Arbresh.info.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes së mëtejme sllovene dhe potencoi se synim shtetëror e strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare ku do të avancohen interesat e qytetarëve të Kosovës.
Presidentja Osmani dhe homologia Pirc Musar diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon.
Sipas Osmanit, bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve është në funksion në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal pasi që Sllovenia është shembull për realizimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në strukturat euroatlantike.
Në raport me dialogun me Serbinë dhe shtensionimin e situatës në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në këtë drejtim dhe do të ketë qëndrim konstruktiv në tërë procesin e dialogut.
Ajo, megjithatë shtoi, se rruga e vetme për paqe e stabilitet afatgjatë është atëherë kur rezultati përfundimtar i dialogut me Serbinë është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.
Në takim u rikonfirmua përkushtimi për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës e Sllovenisë.
Të dy krerët e shteteve diskutuan edhe për një gamë të gjerë temash, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, fuqizimin e grave dhe të rinjve, agjendën e gjelbër./Arbresh.info


Çmimi i arit thyen rekord historik, kapërcen për herë të par...
Hamza takon Malajn, flasin për forcimin e lidhjeve kombëtare...
Edi Rama takohet me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu
Rreth 90 të lënduar kur rrufeja ra pranë një tubimi në mbësh...
KQZ ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale...
Zgjerim hetimesh për zgjedhjet e 12 tetorit kërkojnë 33 ish-...