Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në një konferencë për media, Osmani tha se është paraqitur para qytetarëve pasi, sipas saj, përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha Osmani.
Ajo shtoi se, në përputhje me kompetencat kushtetuese, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
“Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha presidentja.
Duke folur për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani tha se kjo nuk ka qenë një situatë e rastësishme, por sipas saj një kalkulim i menduar politik.
“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, shtoi Osmani.
Sipas saj, Kushtetuta e përcakton qartë se afati për zgjedhjen e presidentit ka përfunduar në mesnatën e së enjtes.
“Procedura për zgjedhjen e presidentit, edhe pse mund të fillojë deri në 60 ditë para afatit të fundit, nuk mund të shtyhet më tej, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë: ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, tha tutje ajo.
Osmani theksoi se deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për ta përmbushur këtë obligim kushtetues.
“Deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për ta kryer këtë detyrë kushtetuese. Ata vendosën të mos e bëjnë këtë. Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë këto ditë, nuk e ndryshon Kushtetutën tonë dhe nuk e zhbën detyrën time që ta shpërndaj këtë Kuvend, i cili dështoi”, deklaroi presidentja.
Kujtojmë se mbrëmë në orët e vona është mbyllur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi nuk pati kuorum të mjaftueshëm për zhvillimin e procesit të votimit.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sqaroi se në raundin e parë dhe të dytë të votimit duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë, në mënyrë që votimi të konsiderohet i vlefshëm. Për shkak të mungesës së këtij numri deputetësh në sallë, seanca u ndërpre pa u zhvilluar votimi për zgjedhjen e presidentit.
Nis takimi i Osmanit me liderët e partive politike për datën...
Haradinaj arrin në Presidencë për takim me Osmanin
VV s’i shkon në takim Vjosa Osmanit
Udhëheqësit fetarë rrethojnë Trumpin dhe luten për të, pamje...
Izraeli sulmon bunkerin nëntokësor të liderit të Iranit
Nagavci: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shpërnda...