Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka ushtruar ankesë ndaj vendimit Gjykatës Komerciale lidhur me aprovimin e kërkesë së paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri OShP lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.
Këtë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja për informim e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi.
Bekteshi ka konfirmuar se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kanë pranuar ankesën e ushtuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për këtë rast.
Përndryshe, në vendimin e shkallës së parë të Komerciales, thuhej se paditësi “Pro & CO Group”, Sh.p.k, pranë kësaj gjykate ka iniciuar konflikt administrativ me kërkesë për anulimin e vendimit të datës 19 prill 2023, të nxjerrë nga i padituri OSHP, si dhe ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër nga gjykata.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Gjykata e Shkallës së Parë, me aktvendimin e 19 prillit 2023, e kishte refuzuar propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar, si të pabazuar. Ndërsa, ndaj po të njëjtit aktvendim, propozuesi kishte parashtruar ankesë.
Kurse, Shkalla e Dytë e kësaj Gjykate, e kishte pranuar ankesën e propozuesit si të bazuar dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje në Dhomat e Shkallës së Parë të kësaj Gjykate.
Në vendim, thuhet se paditësi në kërkesën e tij për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartpërmendur, ka theksuar se caktimi i masës së sigurisë është i domosdoshëm për arsye se i shkaktohet dëm i padrejtë dhe vështirë i riparueshëm sepse me ekzekutimin e vendimit paditësi do të privohet nga e drejta për t’u kualifikuar si operator i përgjegjshëm me çmimin më të ulët.
Tutje, thuhet se marrë parasysh kohën e gjatë të zgjidhjes së çështjes meritore në raport me fitimin e munguar, kjo me siguri do të rezultonte në dëm të padrejtë pasi që paditësi do të privohej nga të hyra të ligjshme, të cilat do të ndikonin në qarkullimin financiar që do të derivonin nga implementimi i projektit kapital për ndërtimin e “Rrugës A” – pjesa e parë, sipas aktivitetit të prokurimit.
Më tej, në vendim thuhet se si kusht të dytë dhe të tretë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, ka theksuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, përkundrazi do të ishte zbatimi i vendimit të kundërshtuar ai që do binte në kundërshtim të hapur me interesin publik sepse shkeljet procedurale që i kanë paraprirë marrjes së vendimit hyjnë në kategorinë e normave penale duke pasur parasysh se OE “Sallahu” Sh.p.k. i shpërblyer me kontratë, ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim me prokurim publik” nga neni 415 i KPRK-së, çka automatikisht e bën të papërshtatshëm dhe të papërgjegjshëm për këtë aktiviteti të prokurimit.
Prandaj, në vendim theksohet se paditësi thotë se dëmi që shkaktohet nga vendimi i kontestuar nuk prek vetëm paditësin, por edhe taksapaguesit dhe buxhetin e Komunës së Prishtinës, me paratë e të cilëve është financuar projekti kapital për ndërtimin e “Rrugës A”- pjesa e parë.
“Në fund ka theksuar se procedura dhe shkeljet procedurale që i kanë paraprirë marrjes së vendimit të atakuar dalin përtej fushëveprimit administrativ dhe depërtojnë në fushëveprimin e normave penale dhe se OE i shpërblyer me kontratë ka kryer vepër penale andaj e bënë të papërshtatshëm dhe të papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet më tej.
Andaj, në vendim thuhet se pasi që Gjykata shqyrtoi pretendimet e paditësit të paraqitura në propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, vlerësoi se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar kërkesën, pasi që paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm i cili vështirë do të riparohej.
Po ashtu, thuhet se ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare.
Gjithnjë sipas vendimit, gjykata vlerëson se pretendimet e paditësit të paraqitura në kërkesë lidhur me dëmin që do t’i shkaktohej janë argumentuar me prova të besueshme, duke pasur parasysh se pretendimet e paditësit të ngritura në ankesë kundër vendimit të AK të datës 24 shkurt 2023, nuk janë marrë parasysh dhe nuk janë elaboruar fare nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së në vendimin e kundërshtuar
“Gjykata vlerëson se në rast se nuk shtyhet ekzekutimi i vendimit deri në marrjen e një vendimi përfundimtarë nga Gjykata, paditësit-propozuesit do ti shkaktohej dëm i pariparueshëm sepse paditësi-propozuesi do të privohej nga e drejta për t’ju nënshtruar një procedure të ligjshme, transparente dhe pa diskriminim ndaj të gjithë operatorëve ekonomik në procesin e përzgjedhjes për realizim të aktivitetit të prokurimit. Në këtë mënyrë paditësitpropozuesit do ti shkaktohej dëm vështirë i riparueshëm, sepse i njëjti nuk do të privohej vetëm nga përfitimet monetare por edhe nga mundësia e fitimi të përvojës profesionale në zhvillimin e aktivitetit të tij të rregullt ekonomik”, thuhet në vendim.
Gjykata, po ashtu thotë se vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktiviteti të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues- Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale është më se i duhur që të ruhet interesi publik.
“Kjo ngase Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu Sh.p.k. Drejtori i të cilin është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar nga neni 398 par.2 të KPRK-së, në mënyrë që ta vlerësoj përshtatshmërinë e OE të zgjedhur, në përputhje me dispozitat imperative ligjore”, thuhet në vendim.
Me tej, thuhet se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk do t’i sillte dëm të paditurit apo ndonjë personi të interesuar.
Kjo ngase, sipas vendimit: “shtyrja e ekzekutimit të vendimit deri në vlerësimin e ligjshmërisë së procedurës së prokurimit do të jetë edhe në dobi të paditurit – kundër propozuesit, sepse do të evitoj çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga AK, që potencialisht do të ndikonte negativisht në besimin e publikut ndaj AK”.
Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktvendimit, në Dhomën e Shkallës së Dytë në Gjykatën Komerciale, përmes Dhomave të Shkallës së Parë të kësaj Gjykate.
Ndryshe, pas këtij vendimi kishte reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka akuzuar se ky vendim është i bazuar në interesa politike e grupe interesi, duke thënë se vendimi është marrë nga motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Ndaj deklaratës së Ramës, kishte reaguar Gjykata Komerciale, e cili ka konsideruar shqetësuese deklarimet e Kryetrarit të Prishtinës.
“Gjykata Komerciale e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale”, thuhej në reagimin e Gjykatës Komerciale.
Hekuran Gashi: Shteti rrezikon të mbetet pa buxhet, na duhet...
Katër alpinistë humbin jetën pasi u rrëmbyen nga një ortek n...
Në vitin 2025, mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë ...
Blerim Sallahu inkurajon mërgimtarët të votojnë: Kosova ka n...
Kurti: Në mandatin e ardhshëm do ta dyfishojmë buxhetin për ...
Një i plagosur pas përleshjes mes disa personave në Suharekë