Organizata që e organizoi ligjëratën rreth Speciales thotë se mori lejen e shkollës

14:00 | 23 Janar 2026
E.K

Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR KS) ka sqaruar se sesioni informues i mbajtur së fundmi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor dhe është pjesë e programit të tyre për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën.

Sipas YIHR KS, sesione të tilla zhvillohen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, dhe në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjatë aktivitetit, nxënësve iu prezantua informacion bazik dhe publik mbi mandatin dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara, si institucion i Republikës së Kosovës.

Organizata thekson se, që nga themelimi mbi 20 vite më parë, ka zhvilluar aktivitetet e saj të vazhdueshme për të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve në Kosovë. YIHR KS riafirmon se sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit të saj afatgjatë për promovimin e drejtësisë tranzicionale, dhe se do të vazhdojë aktivitetin në këtë fushë.

Kurse Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se nuk ka pasur leje e as koordinim për këtë ligjëratë, teksa shtoi se nuk duhet të ndodhin pa marrëveshje ndërinstitucionale.

Ndërkohë, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka konfirmuar për RTKLive se aktivitetet që kjo gjykatë zhvillon në Kosovë në kuadër të Programit të Outreach-it kanë karakter informues dhe nuk përbëjnë ligjërata.

“Që nga viti 2018, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSK) organizojnë rregullisht aktivitete në mbarë Kosovën me grupe të ndryshme, përfshirë studentë, por edhe anëtarë të komuniteteve lokale, juristë, gazetarë dhe të tjerë, në kuadër të Programit të Outreach-it të Gjykatës”, ka deklaruar Doyle.