Opozita kundërshton “kontrabandimin” e projektligjit të Gjykatës Speciale

19:43 | 22 Qershor 2015
M. A.

Si asnjëherë më parë, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’u dërgojë deputetëve një Projektligj, të cilin as vet Qeveria ende nuk e ka miratuar.

Me një vendim të veçantë të kryeministrit Isa Mustafa të datës 19 qershor, të cilin e ka siguruar KTV-ja, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që deputetët të informohen me dy projektligjet e Gjykatës Speciale.

Në procedurë të rregullt, projektligjet dërgohen në Kuvend vetëm pas miratimit në Qeveri dhe aty sponsorizuesi, varësisht në kompetencën e cilës ministri është, jep një memorandum shpjegues për atë projektligj.

Kjo është anashkaluar me rastin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Për anëtarët e kryesisë së Kuvendit, kjo është ‘merre ose lëre,’ duke shkelur rëndë fushëveprimin e deputetit.

Në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, që mbahet të martën, nuk është planifikuar që në rend të ditës të jenë as votimi i amendamenteve kushtetuese, por as Projektligji për Dhomat e Specializuara.

Por, në bazë të këtij dokumenti, të cilin e ka dërguar kryetari i Kuvendit, me anë të të cilit ‘njofton për këto projektligje’, mund të diskutohet meqë në pikën 3 thuhet se do të shqyrtohen ‘propozimet, kërkesat dhe njoftimet’.

Këshilltari i kryeministrit, Besnik Berisha, tërthorazi ka pranuar se deputetët nuk do të kenë mundësi të ndryshojnë asgjë nga Projektligji për Dhomat e Specializuara.

“Informata është dërguar, në mënyrë që deputetët ta lexojnë dhe të informohen me përmbajtjen, para se të shkojë në seancë. Planifikohet që dy leximet për Projektligjin të kalojnë në Kuvend brenda ditës dhe kjo është menduar për 26 qershor, por kjo nuk është e sigurt”, ka thënë Berisha për KTV-në.

Në fakt, duhet votimi i amendamenteve kushtetuese për t’i hapur rrugë votimit të Projektligjit, si në Qeveri ashtu edhe në Kuvend, meqë si i tillë Projektligji është hartuar duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që pritet të votohen.

KTV ka provuar të kontaktojë dhe ka pyetur për këtë dy partnerët e koalicionit, shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, dhe atë të PDK-së, Adem Grabovci, por asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë, kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kanë thënë se Projektligji nuk do të ketë mundësi të ndryshohet nga deputetët.

Shpërndaje në rrjete sociale