Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv. Megjithatë, OEK kërkon përshpejtimin e procesit të Planit të Rritjes, pasi çdo vonesë, sipas saj, përbën humbje të madhe për Kosovën dhe për rritjen e ekonomisë së vendit.
Lajm të mirë e ka quajtur heqjen e masave ndaj Kosovës Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, njëherësh edhe Kryetar i Odave të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, ky vendim vjen në një kohë të rëndësishme, pasi Kosova është vonuar në implementimin e shumë projekteve të rëndësishme të parapara nga masat, ndërsa janë pezulluar edhe shuma të konsiderueshme të mjeteve financiare si pasojë e masave ndëshkuese.
Megjithatë, Rafuna thekson se Kosova fatkeqësisht ende ka mbetur peng i mungesës së institucioneve funksionale, sa i përket Planit të Rritjes, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe mosratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“ Kosova ka mbetur në pikën zero për ta bërë parafinancimin prej 63 milionë eurove. Mos të flasim këtu për të përfituar nga kësti i parë, i dytë dhe i tretë, varësisht prej dinamikës së bërë të reformave. Kërkesa jonë për të gjitha partitë politike që po marrin pjesë në zgjedhje: ju lutem që sa më shpejt të konstituoni Kuvendin, t’i ratifikoni marrëveshjet, sepse kemi mbetur shumë mbrapa kundrejt vendeve të Ballkanit”, tha ai.
Ai paralajmëron se rreziku kryesor i Planit të Rritjes, ndryshe nga planet e tjera, është se nëse Kosova nuk arrin që brenda afateve të caktuara t’i tërheqë mjetet dhe të realizojë reformat dhe progresin e kërkuar, atëherë këto mjete mund t’i merren Kosovës dhe t’u shpërndahen vendeve të tjera të rajonit.
“Shuma totale është 880 milionë euro sipas formulës së Komisionit Evropian. Mbetet kur vjen vlerësimi, që është edhe koha e qershorit si fazë më kritike, kur mund të merret vendimi që na tërhiqet një përqindje e caktuar si rezultat i mosmarrjes së veprimeve. Atëherë edhe caktohet sa mund t?i hiqet Planit të Rritjes. Kërkojmë nga partitë që ta marrin seriozisht, që të kemi institucione dhe ta votojnë, sepse përfiton vendi ynë dhe më së shumti qytetari, pasi i rritet niveli i standardit jetësor”, pohoi ai.
Ai shton se ndër qëllimet strategjike të Planit të Rritjes janë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët rajonal, mundësia e kyçjes në tregun e Bashkimit Evropian me mbi 500 milionë konsumatorë, si dhe dyfishimi i rritjes ekonomike përmes fondit prej 6 miliardë eurosh të dedikuar për gjashtë shtetet e rajonit. Ndër reformat kryesore që kërkohen nga Kosova janë reformat në administratë publike, nxitja e investimeve në sektorin privat, si dhe progresi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj: Nuk flas më si opozitar, por si qeveritar i nesër...
Aksion i madh kundërkorrupsion i AKI-së dhe Policisë, arrest...
Kryeqyteti ndez dritat e fundvitit
SHBA ndalon importin e gomave nga fabrika kineze në Serbi
Kurti premton 1 miliard euro për investime kapitale
Opozita kritikon Vuçiqin për mungesë në samitin BE-Ballkani ...