Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka reaguar ashpër ndaj një kërkese të bërë nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK),ku sipas tyre kërkohet që qindra avokatë të dorëzojnë brenda një afati të shkurtër një sasi të madhe të dhënash, përfshirë informacione konfidenciale për klientët, pasqyrat financiare, raportet me përmbarues privatë dhe bashkëpunimet me sektorin publik dhe privat për periudhën 2019–2024.
Sipas OAK, kjo kërkesë përbën një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe ligjore, duke cenuar pavarësinë e profesionit të avokatit dhe duke u cilësuar si një veprim arbitrar e pa bazë të qartë ligjore.
Reagimi i plotë:
Oda e Avokatëve të Kosovës ka pranuar një kërkesë nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i ATK-së, përmes së cilës kërkohet që qindra avokatë të dorëzojnë brenda një afati të shkurtër një sasi të madhe të dhënash, përfshirë informata konfidenciale për klientët, raportet me përmbarues privatë, pasqyrat financiare dhe të dhëna nga bashkëpunimet me sektorin publik dhe privat për periudhën 2019–2024.
Kjo kërkesë është në shpërputhje të plotë me parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, cenon pavarësinë e profesionit të avokatit dhe përbën një veprim arbitrar dhe të paarsyetuar ligjërisht. Në përmbajtje dhe në formë, ajo më shumë ngjan me një gjueti shtrigash sesa me një procedurë tatimore të mbështetur në ligj.
Për ta thënë qartë: Avokatët nuk janë mbi ligjin dhe nuk e kërkojnë këtë. Ne paguajmë tatim në përputhje me ligjin dhe dorëzojmë pasqyrat tona në afatet e përcaktuara. Ajo që kërkojmë është: siguri juridike, trajtim dinjitoz dhe respektim i rolit që kemi në sistemin e drejtësisë.
Është e papranueshme që për shkak të një hetimi të paqartë që mund të ketë në fokus përmbarues të caktuar, të kërkohet me automatizëm që mbi 700 avokatë në gjithë territorin e Kosovës të trajtohen si objekt i dyshimit apo presionit hetimor. Ironikisht, në listën e shpërndarë për dorëzim të të dhënave ndodhen edhe avokatë që më nuk jetojnë.
Kjo nuk është vetëm shkelje procedurale, kjo është një formë e re e ndërhyrjes sistematike në pavarësinë e avokatisë, e cila në çdo vend demokratik përbën vijë të kuqe.
Kërkesa e ATK-së nuk saktëson statusin ligjor të procedurës, nuk përcakton a kemi të bëjmë me kontroll të rregullt tatimor, me hetim penal, apo me ndonjë inspektim tematik? Nuk ka vendim për hapje kontrolli, nuk ka objekt të qartë hetimi, nuk ka bazë ligjore për një kërkesë të këtij lloji dhe për këtë shkallë përfshirjeje.
Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të lejojmë që profesionistët e së drejtës të keqtrajtohen përmes mjeteve të frikës, presionit apo paragjykimeve institucionale. Ky është një sulm ndaj integritetit të profesionit, ndaj besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe ndaj parimit themelor të konfidencialitetit avokat–klient.
Prandaj, Oda e Avokatëve të Kosovës do t’i drejtohet menjëherë Drejtorit të ATK-së, Ministrit në detyrë të Financave, Kryeprokurorit të Shtetit dhe çdo autoriteti tjetër përgjegjës, për të kërkuar sqarim, përgjegjësi dhe ndalje të menjëhershme të çdo praktike që shkel liritë profesionale të avokatëve dhe krijon precedent të rrezikshëm institucional.
OAK fton të gjithë kolegët të qëndrojnë të bashkuar, me integritet dhe vendosmëri për të mbrojtur ligjin dhe profesionin tonë fisnik. OAK do të jetë zëri i tyre aty ku ka heshtje, mburoja e tyre aty ku ka presion dhe përfaqësimi i tyre aty ku kërkohet guxim.
Ky profesion nuk ka asnjë vlerë nëse nuk mbrohet me dinjitet të palëkundur dhe besnikëri ndaj ligjit dhe parimeve. Për këtë, avokatët do të kenë gjithmonë mbështetje të pakushtëzuar!/Arbresh.info
KQZ mban sot mbledhje, ky është rendi i ditës
Nesër ndërpritet furnizimi me ujë në Bregun e Diellit
Lando Norris, kampioni i botës në Formula 1
116 për VV-në, Kurti: Me qytetarët drejt një fitoreje edhe m...
Zelensky sytë kah Evropa pasi bisedimet SHBA-Ukrainë përfund...
Pa fitues në kryeqytet, Prishtina dhe Ferizaj ndajnë pikët