Nxjerrja ilegale e thëngjillit në disa fshatra të Vushtrrisë ka shkaktuar dëme mjedisore dhe rrezikon banorët. Prokuroria ka nisur hetimet, ka arrestuar disa persona dhe ka sekuestruar automjete të përdorura për këtë aktivitet. Autoritetet paralajmërojnë masa të vazhdueshme për ndalimin e këtij aktiviteti.
Nxjerrja ilegale e thëngjillit në disa fshatra të Vushtrrisë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Aktiviteti i kundërligjshëm zhvillohet me makineri të rënda, ndërsa thëngjilli transportohet për shitje në treg. Si pasojë, zona është degraduar rëndë, me gropa të mëdha dhe terren të rrezikshëm, duke paraqitur kërcënim serioz për banorët, sidomos për fëmijët. Sipas hetimeve, ky aktivitet zhvillohet prej vitesh, pa standarde sigurie dhe pa rehabilitim të tokës, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore.
“Rasti aktualisht ndodhet në fazën e hetimeve, janë identifikuar personat e dyshuar për këtë rast, tre nga të cilët ndodhen në paraburgim, ndërkaq për gjashtë prej tyre procedura vazhdon në procedurën e rregullt. Personat e dyshuar akuzohen për kryerjen e veprave penale: ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit si dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, deklaroi Valon Preteni, zëdhënës i prokurorisë në Mitrovicë.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan mjete të shumta pune, përfshirë ekskavatorë, kamioneta dhe një traktor, të cilat dyshohet se përdoreshin për nxjerrjen dhe transportin ilegal të thëngjillit.
“Gjatë aksionit të zhvilluar në tri fshatra të komunës së Vushtrrisë, Bivolak, Strofc dhe Zhilivodë, janë gjetur dhe sekuestruar katër ekskavatorë, gjashtë kamioneta dhe një traktor që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e këtyre veprave penale”, theksoi zëdhënësi i prokurorisë Valon Preteni.
Sipas statistikave, në këto zona ndër vite kanë humbur jetën edhe punëtorë, duke e bërë këtë aktivitet jo vetëm të paligjshëm, por edhe shumë të rrezikshëm.
Në një përgjigje për RTK, KEK-u bëjnë të ditur se kanë kompetencë vetëm mbi zonat minerare të licencuara, ndërsa pjesët e tjera nuk janë nën përgjegjësinë e tyre. Pamjet nga terreni tregojnë dëmet e mëdha, ndërsa rikthimi i zonave në gjendje normale pritet të jetë i gjatë dhe i vështirë. Autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimin e monitorimit dhe ndërhyrjeve për të parandaluar aktivitetet ilegale dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve./rtk
Temperatura deri në 24 gradë, parashikimi i motit për nesër
Studenti shqiptar në Maqedoni të Veriut: Protesta s’është e ...
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Hudhra – ilaçi natyral që fuqizon shëndetin
Nxjerrja ilegale e thëngjillit në Vushtrri rrezikon banorët ...
Kopenhaga zgjidhet qyteti më i lumtur në botë