Numri i fundit i revistës zyrtare të Policisë së Kosovës “Mbrojtësi”, i kushtohet Afrim Bunjakut

13:53 | 27 Shkurt 2025
K.B

Policia e Kosovës ka njoftuar se numri i fundit i revistës zyrtare të këtij institucioni “Mbrojtësi”, i është kushtuar heroit Afrim Bunjaku.

Në fillim flitet për një vjetorin e vrasjes së tij, dhe aktivitetet përkujtimore që u bënë në nderim të tij.

“Më 24 shtator 2024, me rastin e njëvjetorit të rënies në krye të detyrës të rreshterit Afrim BUNJAKU, heroit më të ri të Republikës së Kosovës, personalitete të larta shtetërore dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës organizuan një sërë aktivitetesh përkujtimore në nderim të tij. Aktivitetet nisën me vizitën tek familjarët e heroit, ku përfaqësues të institucioneve dhe të Policisë së Kosovës shprehën mirënjohjen e përjetshme për sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të rreshterit Bunjaku. Më pas, u bënë homazhe pranë varrit të tij, ku personalitete të larta shtetërore, menaxhmenti policor, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare vendosën kurora me lule, duke e nderuar atë për veprën e tij heroike. Në vazhdim, u vizitua edhe vendi i rënies së tij në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u zbulua tabela e rrugës që tani do të mbajë emrin e tij, “Afrim Bunjaku”, si simbol i përjetësimit të sakrificës së tij për ruajtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Përvjetori kulmoi me një akademi përkujtimore të mbajtur në Prishtinë, ku Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, si dhe familjarë dhe kolegë të heroit mbajtën fjalime emocionuese, duke shprehur dhembjen e thellë, krenarinë dhe nderimin për jetën dhe veprën e rreshterit Bunjaku”, thuhet mes rreshtave të kësaj reviste.

Tutje thuhet se Afrim Bunjaku mbetet një shembull i guximit dhe sakrificës së pashoq, duke frymëzuar brezat e ardhshëm të Policisë së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e vendit për përkushtimin ndaj atdheut dhe mbrojtjen e tij deri në fund.

“Rreshteri Afrim (Ramadan) BUNJAKU, i lindur më 15 prill 1973 në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ishte një shembull i përkushtimit dhe profesionalizmit në Policinë e Kosovës. Pas përfundimit të arsimit të mesëm dhe specializimeve profesionale, ai iu bashkua Policisë së Kosovës më 12 mars 2001, duke u bërë pjesë e gjeneratës së 15-të të policisë. Me përkushtim të palëkundur, ai shërbeu në njësi të ndryshme policore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Karriera e tij ishte e mbushur me suksese dhe kontribut të vazhdueshëm: Në vitin 2005-2007 shërbeu si instruktor në Akademinë Policore. Në maj 2007 u gradua rreshter, duke udhëhequr njësi të ndryshme në rajonin e Mitrovicës me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Në janar 2023 u sistemua në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri, ku punoi deri në rënien e tij heroike më 24 shtator 2023. Gjatë karrierës së tij, rreshteri Bunjaku u shpërblye me një sërë mirënjohjesh, medaljesh dhe lëvdatash për profesionalizmin dhe devotshmërinë e tij. Përkushtimi i tij u vlerësua me çmime si “Medalja për Shërbim të Besnikërisë” për 10 dhe 20 vite shërbim të devotshëm në Policinë e Kosovës, si dhe mirënjohje të shumta nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe institucione të tjera. Afrim Bunjaku mbetet një shembull i guximit dhe sakrificës së pashoq, duke frymëzuar brezat e ardhshëm të Policisë së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e vendit për përkushtimin ndaj atdheut dhe mbrojtjen e tij deri në fund. Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, thuhet tutje./Arbresh.info/