Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka mohuar se e ka mbështetur kandidaten e propozuar nga VV për Presidente, Feride Rushitin, duke përgënjeshtruar kështu deklaratën e saj të mbrëmshme.
Nga ambasada kanë deklaruar se Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe se nuk e ka bërë një gjë të tillë, shkruan Reporteri.net.
Ky thuhet se është rol ekskluziv i partive.
“Është rol ekskluziv i partive politike të diskutojnë dhe të propozojnë kandidatë të mundshëm për zgjedhje. Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë,”, kanë deklaruar nga ambasada britanike për Nacionalen.
Ambasada ka inkurajuar partitë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe të zhvillojnë fushatën në mënyrë konstruktive dhe me respekt.
“Vërejmë se partitë kanë tentuar dhe kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës, dhe si rezultat Kosova do të mbajë zgjedhje të reja kombëtare. Ashtu si në zgjedhjet e tjera të fundit, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha partitë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe të zhvillojnë fushatën në mënyrë konstruktive dhe me respect”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Kandidatja e VV-së, Feride Rushiti, nga foltorja për media e Presidencës së Kosovës dhe në praninë e kryeministrit tash në detyrë, Albin Kurti, mbrëmë tha se përkrahjen dhe mbështetjen për të marrë postin e parë të shtetit, e kishte marrë “nga partnerët ndërkombëtarë” duke iu referuar në veçanti “ambasadës angleze.”
E pyetur nga gazetarët se “kush janë këta partnerë ndërkombëtarë?” që e çuan para të kandidohet për presidente, ajo tha britanik “që më mbështesin qe disa vite.”
“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuru për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan”, deklaroi Rushiti.
Afati kushtetues 34 ditor për zgjedhjen e Presidentit ka përfunduar mbrëmë në orën 24:00. Gjykata Kushtetuese me aktgjykim ka përcaktuar që Kuvendi shpërndahet me automatizëm nëse brenda këtij afati nuk zgjidhet presidenti.
Haxhiu deklaroi se zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues.
“Sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë. Zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues”, tha Haxhiu, në fund të seancës, fiks në orën 00:00.
Haxhiut tani i mbetet t’i ftoj partitë në takim për ta caktuar datën e zgjedhjeve brenda 45 ditësh.
E diela e 7 qershorit është data e fundit që mund të caktohet si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve.
Osmani viziton Teqen e Shejh Eminit në Gjakovë: Besimi nuk ë...
13 ndeshje pezullim për portierin që e grushtoi futbollistin...
Mbreti Charles i dhuron Presidentit Trump këmbanën origjinal...
Të miturit në burgun e Lipjanit forcojnë njohuritë teknike
Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e anijeve luftarake në...
Ulutas vizitë në Bruksel, Shekerinska: NATO e përkushtuar pë...