Dita botërore e Autizmit, e gjen Kosovën pa asnjë të dhënë të saktë për numrin e fëmijë me autizëm. Kjo për arsye se asnjë nga komunat e Kosovës nuk ka treguar ndonjëherë shifra.
Për shkak të mungesës të mjaftueshme të mjeteve të nevojshme për trajnimin e fëmijëve me autizëm, janë organizuar shoqata, organizata dhe fondacione të ndryshme që t’u ofrojnë sa më shumë kushte këtyre fëmijëve.
Në organizimin e shënuar për këtë ditë ishin mbledhur themeluesit Qendrës “Autizmi”, Cen Krasniqi dhe Shpresa Gjaki, kryetari i Forumit Kosovar për persona me aftësi të kufizuara, Bujar Kadriu dhe poashtu këshilltari i ministrit të Arsimit, Azem Guri.
Me këtë rast drejtori i qendrës për fëmijët me autizëm, Cen Krasniqi, tha se janë mbledhur për të shënuar përvjetorin e tyre dhe për të rikujtuar fillet e punës dhe për të shpalosur sukseset e kësaj qendre.
“Autizmi edhe në botë ka shumë sfida prej asaj se çka shkakton dhe si duhet trajtuar. Tek ne sfidat janë edhe më të mëdha përkundër mburrjes me sukseset tona prej 3 vitesh në krahasim me mundësitë dhe rrethanat në të cilat jetojmë, jemi shumë të vetëdijshëm ato janë një miniaturë në krahasim me nevojat e tyre dhe se punë të mëdha na presin në vijim”, tha Krasniqi.
Kjo shoqata ka qendra regjionale në Pejë, Prizren dhe Suharekë.
Sot, kjo shoqatë ka hapur dhe një qendër në Lipjan si dhe së shpejti do të hapin edhe qendra të reja në Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë.
Bashkë organizatore dhe nënë e fëmijës me autizëm është edhe Shpresa Gjaku, e cila para të pranishmëve ka treguar për sfidat e saj për rritjen e fëmijës.
“Unë vet kam pasur sfida shumë të mëdha, kur them sfida do të thotë kam qenë një nënë e fëmijës me autizëm në Amerikë, jo në Kosovë. Mirëpo sfidat e mia kanë qenë personale se kanë qenë larg familjes, pa dijeni çka është autizmi para 25 viteve. Përqendrimi im në ndihmë këtu në Kosovë ka qenë se jam kosovare, jam e edukuar, jam e rritur këtu dhe t’u ndihmojmë fëmijëve sikur unë që e kam”, tha Gjaku.
Nga Forumi Kosovar për Personat me Aftësi të Kufizuar, Kadriu tha se fëmijë me autizëm duhet të ndihen pjesë aktive dhe të kontribuojnë sikur gjithë fëmijët e tjerë.
“Vullneti i madh i këtyre fëmijëve për të qenë të barabartë dhe familjeve të tyre na bënë të kuptojmë që neve na duhet një përkushtim shumë më i madh dhe më i fuqishëm, i cili me të vërtetë bën që këta fëmijë ta ndjejën veten dhe jo vetëm ta ndjejnë por edhe të jenë pjesë aktive dhe të kontribuojnë sikur të gjithë fëmijët e tjerë”, tha ai.
Ndërsa këshilltari i ministrit të arsimit, Azem Guri, tha se një nga objektivat kryesore është edhe gjithë përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin parauniversitar.
“Politikat e ministrisë së arsimit janë që këta fëmijë të integrohen në sistemin e rregullt të arsimit para universitar. Prandaj ne po bëjmë të gjithë të pamundurën duke I trajnuar mësimdhënësit, duke I zhvillu programet, duke zhvillu aktivitete që këta fëmijë të jenë përkrahës të nxënësve të shkollave të rregullta të arsimit parauniversitar”, tha ai.
Ndër aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në këtë ditë është edhe mbledhja e fondacioneve për fëmijët me autizëm, që do të mbahet në Hotel Emerald.
Ndryshe, autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut, pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik.
Sot, të paktën 1 në 88 vetë në botë diagnostikohen me autizëm duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku.
Është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me Koeficient Inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor.
Individët me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodike ose të çorganizuar./arbresh.info/
Pamje nga tërmeti 7.6 ballë që shkundi Japoninë
LDK prezanton listën me 30 kandidatët për pesë degët e Prish...
Ramos konfirmoi largimin e tij nga Monterrey, do të jetë loj...
Komandanti i KFOR-it pret në takim Kurtin, shprehu përkushti...
Nuk kanë të ndalur telashet në mbrojtje për Arsenalit, ylli ...
Aksident mes dy veturave në rrugën Prishtinë-Pejë, lëndohen ...