Një muaj nga zgjedhjet, ende s’ka rezultate përfundimtare

09:02 | 9 Mars 2025
E.H

Sot është bërë fiks një muaj që kur qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit për zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Ndonëse ka kaluar një kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende s’i ka shpallur rezultatet përfundimtare ndërsa procesi i numërimit të të gjitha votave përfundoi më 5 mars, shkruan Arbresh.info.

Shkak i vonesës së publikimit të rezultateve përfundimtare janë bërë disa ankesa në PAZP.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kërkuar shfuqizimin dhe përsëritjen e votimit përmes postës në mërgatë të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, pasi u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për manipulim të fletëvotimeve.

Vetëvendosja fitoi më së shumti vota nga votimi me postë, 51.57 për qind, apo me mbi 31.000 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës arriti t’i sigurojë 30.55 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.23 për qind.

Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka fituar 396.022 vota, apo 42.27 për qind, duke i siguruar 48 ulëse.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme