Një muaj arrest shtëpiak për gruan që aksidentoi 11 persona tek ‘Rrethi’

17:21 | 30 Shtator 2015
M. A.

Sh.D. e cila shkaktoi aksident dy javë më parë, tek “Rrethi” në Prishtinë, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj. Fillimisht vendimi është marrë në Gjykatën Themelore të Prishtinës e më pas është konfirmuar nga kolegji penal prej tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.

Drejtoresha në Departamentin e Politikave të Zhvillimit Rural në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Sh.D, sipas prokurorisë është e dyshuara kryesore për aksidentin e trafikut që la të plagosur 11 persona duke rrezikuar trafikun publik.

“Prokuroria e shtetit për këtë rast është duke zhvilluar hetimet pasi që Sh.D dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Express.

Në anën tjetër Gjykata Themelore ka caktuar masën për arrest shtëpiak për një muaj ndaj të dyshuares. Për këtë vendim është ankuar masa mbrojtëse e Sh.D kundër masës të cilën e ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë. E ankesën e palës mbrojtëse e ka refuzuar kolegji i penal prej tre gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit duke e konsideruar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 22.09.2015. Këta të fundit e kanë lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore konform dispozitës së nenit 183, lidhur me nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale.

“Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, ndaj të pandehurës Sh. D. Kështu Apeli ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e mbrojtësit të dyshuarës në fjalë, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 22.09.2015”, është përgjigjja e Gjykatës së Apelit.

Express javë më parë ka raportuar për aksidentin tek “Rrethi” që la të plagosur 11 persona. Sipas burimeve të Gazetës Express e dyshuara është duke kaluar në një gjendje të rëndë emocionale dhe psiqike. Por këto ende nuk janë vërtetuar nga Prokuroria.

“Prokuroria ende nuk ka vërtetuar se e dyshuara vuan nga ndonjë sëmundje me të cilën do të pengonte rrjedhat e mëtejme procedurale-penale, e sa i përket si rrethana lehtësuese edhe ato rënduese mbetet të vërtetohen në Gjykatë”, thuhet në përgjigje.

Shpërndaje në rrjete sociale