Një fabrikë do t’i dhurojë rreth 2000 maska mbrojtëse mitrovicasve

15:35 | 18 Mars 2020

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në një takim pronarët e Fabrikës së Konfeksionit “Euro Tex” në Mitrovicë, Agron Syla dhe Arian Syla, ku ishin të pranishëm edhe drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, drejtori i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, Fevzi Sylejmani, dhe komandanti i Policisë së Stacionit në Jug, Ahmet Xhosha.

Me këtë rast pronarët e Fabrikës së Konfeksionit “Euro Tex” njoftuan kryetarin Bahtiri se janë të gatshëm t’iu dalin në ndihmë në parandalimin e virusit COVID-19, duke përgatitur maska mbrojtëse falas për çdo ditë 1500-2000 copa, për të gjitha institucionet e Komunës së Mitrovicës, duke përfshirë institucionet shëndetësore, Policinë, ndërmarrjet publike, si dhe qytetarë të tjerë të cilët kanë nevojë, thuhet në komunikatë, transmeton arbresh.info.

Kryetari Bahtiri u shpreh tejet falënderues ndaj pronarëve të kësaj fabrike për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre, duke ndihmuar institucionet e Komunës dhe qytetarët e Mitrovicës të pajisen me maska mbrojtëse në këtë situatë të ndjeshme për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Vlen të theksohet se fabrika në fjalë është duke zbatuar në përpikëri vendimet e Komunës së Mitrovicës, dhe rekomandimet nga Qeveria si dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, pasi që punon me një staf të reduktuar, ka bërë dezinfektimin e tërë hapësirave të objektit, ka pajisur me masa mbrojtëse personelin aty, si dhe të gjitha masat tjera të nevojshme për parandalimin e këtij virusi, thuhet në njoftimin e komunikatës./Arbresh.info

 

Lajmet më të lexuara